“Kryeministri Rama nga Partia Socialiste drejton aktualisht shumicën parlamentare, por Partia Demokratike ka djegur vitin e kaluar mandatet e saj në Parlament dhe e bojkoton institucionin më të lartë. PD ka bojkotuar edhe zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, për shkak të dyshimeve për manipulimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kjo parti ka kërkuar largimin e Ramës nga pushteti. Vëzhguesit thonë se Shqipëria ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe krimin e organizuar.”
I pyetur nga DW, publicisti Veton Surroi thotë se situata është paradoksale.“Shqipëria është edhe vet nën vëzhgimin e OSBE-së, ndërkohë që tani duhet ta drejtojë atë. Nëse shikojmë detyrat e OSBE-së dhe gjendjen në Shqipëri, atëherë kemi një situatë paradoksale: Shqipëria është edhe vet nën vëzhgimin e OSBE-së, ndërkohë që tani duhet ta drejtojë atë”.
Në një postim në Twitter, zëvendësministri i Jashtëm Gent Cakaj ka theksuar se “Shqipëria ka kapacitete të plota për të adresuar prioritetet e Kryesisë së saj në mënyrë efektive dhe për të kryer detyrimet ndaj vendeve pjesëmarrëse”. Zëri i Amerikës ka analizuar më parë se Shqipëria e fillon kryesinë e OSBE-së për vitin 2020, ndërsa rajoni ku vepron organizata përballet me sfida të konsiderueshme sigurie dhe të demokracisë dhe vetë vendi përballet me probleme politike. OSBE e ka selinë në Vjenë. Pjesë e organizatës janë 57 vende të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë. Detyrat e saj janë të shumta – duke nisur nga vëzhgimi i zgjedhjeve, lufta për lirinë e shtypit, mbrojtja e të drejtave të minoriteteve e deri tek misioni vëzhgues në lindje të Ukrainës dhe misione të tjera. OSBE-ja ka një mision në Tiranë, për të vëzhguar gjendjen e demokracisë. Ky mision angazhohet për zbutjen e krizës dhe forcimin e institucioneve, në një situatë konflikti permanent mes pozitës dhe opozitës, ku disa institucione janë bllokuar me vite të tëra ndërsa vendi vazhdon të ketë probleme me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
