“Është prioritare për çdo vend demokratik, veçanërisht në procesin e integrimit europian, të respektojë këto parime, të drejta e detyrime. Shkelja e tyre është kthyer në rregull për qeverinë e korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës.”
Për dëbimin e Harun Çelik reagoi eurodeputetja Ramona Strugariu. Përmes një postimi në Twitter ajo kritikoi qeverinë shqiptare.“Kryeministër i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni Harun Çelik në Turqi!”
Neni që citon eurodeputetja thotë se “askush nuk mund të ekstradohet drejt një shteti ku ka rrezik serioz që t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera ç’njerëzore apo degraduese.” Në vitin 2015, Kosova dëboi 5 persona të kërkuar nga Turqia duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kritika të ashpra nga BE-ja dhe SHBA-të për shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe dhunim të të drejtave të njeriut. Kryeministri Ramush Haradinaj në atë rast shkarkoi kreun e shërbimeve sekrete të vendit si dhe ministrin e Brendshëm duke pretenduar se nuk kishte pasur dijeni për dëbimin. Lëvizja e Fethullah Gülen konsiderohet organizatë terroriste në Turqi, Pakistan dhe disa nga vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam. Vetë udhëheqësi i kësaj lëvizjeje jeton në SHBA, të cilat kanë refuzuar kërkesat e Erdogan për arrestim dhe ekstradim të tij deri në momentin ku akuzat për aktivitet terrorist mbeten të paprovuara.
