Shkarkohet gjyqtari i Apelit Selim Kryeziu, probleme me pasurinë e figurën

exit.al 22 Korrik 2020, 10:23

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Apelit Shkodër, Selim Kryeziu për shkak të problemeve me pasurinë dhe figurën.

Vendimi u mor nga Valbona Sanxhaktari, Etleda Çiftja dhe  Xhensila Pine.

Gjatë hetimit administrativ, KPK gjeti disa probleme me deklarimin e pasurisë:

- Mosjustifikimi i të ardhurave të personave që gjyqatari i kishte marrë hua 20 mijë euro - pyetur për dokumentet që vërtetojnë se personat e tretë kishin mundësi financiare për të dhënë këtë hua, gjyqtari ka dorëzuar dokumente që tregojnë të ardhurat e tyre, por që i përkasin një periudhe më të vonë se kur është marrë huaja.

- Për disa vite analiza e pasurisë së gjyqtarit dilte me bilanc negativ, në total 5,6 milionë lekë.

- Deklarime të pasakta pasurie ndër vite.

- Rritjen fiktive të çmimit të një apartamenti në Librazhd – gjyqtari e ka deklaruar se e ka blerë 600 mijë lekë, por dokumentet tregonin se e ka blerë për 437 mijë lekë. Tre ditë pas blerjes, gjyqtari e ka shitur apartamentin për 1.4 milion lekë.

Edhe DSIK dha vlerësim negativ për figurën e gjyqtarit dhe rekomandoi se ai nuk është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën, pasi e akuzon gjyqtarin për tre raste mitmarrje dhe për përfshirje aktive në korrupsion.

Shpërndaje te miqtë