SHBA-të apel qytetarëve: kujdes nga mashtrime për viza

exit.al 26 Shkurt 2021, 12:35

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë i paralajmëroi qytetarët të mos bien pre e mashtrimit me vizat amerikane. Në një njoftim në rrjetet sociale, të enjten, ambasada theksoi se vizat amerikane nuk merren duke paguar para në persona të tretë.

“Departamenti i Shtetit nuk do t’ju kërkojë kurrë të transferoni para tek një individ apo organizatë tjetër për të marrë vizën tuaj. Informoni veten në mënyrë që të mos bëheni viktimë e një mashtrimi”, shkruhet në njoftimin e ambasadës.

Sipas njoftimit, “mashtrimet zakonisht përfshijnë faqe interneti të rreme, adresa emaili dhe kërkesa për tarifa shtesë që duhet paguar për të marrë një vizë”.