Senati Akademik kthen në detyrë pedagogët e shkarkuar nga ish rektori Koni

exit.al 25 Shtator 2020, 17:14

Senati Akademik i konsideroi të pavlefshëm vendimet e ish rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni për shkarkimin e 5 pedagogëve

Në një vendim të marrë të premten me 25 shtator, Senati argumentoi se marrëdhënia e punës së pedagogëve rregullohet nga ligji për Arsimin e Lartë jo nga Kodi i Punës.

Më 6 maj, Universiteti i Tiranës shkarkoi nga detyra pesë pedagogët për shkelje të rregullores së zgjedhjeve për drejtuesit dhe Senatin Akadamik të UT-së.

Pedagogët ishin pjesë e Komisioni Institucional i Zgjedhjeve (KIZ) në Universitetin e Tiranës. Ata shpallën garën për postin e Rektorit dhe Anëtarit të Senatit Akademik, disa ditë pasi Kuvendi zgjati gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

Siç Exit ka argumentuar më parë, Statuti i UT, nuk ja jep të drejtën Senatit Akademik të shqyrtojë vlefshërinë e akteve të Rektorit. Neni 31 i Statutit përcakton se kompetencat kryesore të Senatit shtrihen në mbarëvajtjen e UT, fakulteteve por nuk shprehet në asnjë gërmë se ai mund të shqyrtojë e më pas të vlerësojë aktet e nxjerra nga Rektori.

Statuti i Universitetit të Tiranës ja njeh kompetencën rektorit të largojë nga puna pedagogët, për shkelje të rënda, të cilat përfshijnë shkeljen e ligjit apo akteve nënligjore.

Vlefshmëria ose jo e vendimit të rektorit mund të vendoset vetëm nga gjykata—përsa kohë vendimi nuk është ankimuar dhe gjykata nuk ka vendosur, pedagogët smund të rikthehen në punë.

Shpërndaje te miqtë