Ministri Lleshaj thotë se kamerat e sigurisë kanë regjistruar vrasjen e të riut

exit.al 12 Dhjetor 2020, 21:07

Ministri në detyrë Sandër Lleshaj ka deklaruar të shtunën se kamerat e sigurisë kanë zbardhur gjithë ngjarjen që përfundoi me vrasjen e Klodian Rashës nga një polic. 

Në një intervistë për Report.Tv, Lleshaj ka thënë se tashmë është provuar ngjarja është bërë në tejkalim të mbrojtjes.

"Kamera e trupi nuk prish punë pasi ajo do të na tregonte rrjedhjen e ngjarjes, ndërkohë që dinamika e ngjarjes është e zbardhur nga një mori kamerash. Tashmë është e provuar që ngjarje është në tejkalim të mbrojtjes në kushte ligjore të punonjësit të Policisë”, ka thënë Lleshaj.

Lleshaj ka dekalruar se motivet e policit mbeten ende për t’u sqaruar.

“Vetë punonjësi i policisë nuk e ka thënë ende pse.  Motivi dhe detajet e vendimmarrjes së punonjësit të policit në ato çaste mbeten për tu sqaruar”, ka thënë ai.

Gjykata ka lënë në burg policin që vrau Klodian Rashën.

Policia e Shteti ka pohuar të mërkurën se po analizon të gjitha shkaqet që çuan në vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha.

Klodian Rasha, 25 vjeç u ekzektutua nga një polic në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi ai nuk iu bind urdhërit të policisë për të ndaluar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45 të mëngjesit në Laprakë.

Sipas të dhënave të policisë, ai po kryente veprime të dyshimta dhe nuk respektoi urdhërin për të ndaluar.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHÇBA) njoftoi policët kishin gjetur një armë në një rrugicë ku kishte kaluar viktima.

Shpërndaje te miqtë