“Është periudha kur [Enver Hoxha] mbajti fjalimin e famshëm ‘Kur flet klasa (punëtore) nuk flet burokratizmi’, që qe një goditje kundër Mehmet Shehut, kur hoqi edhe gradat e ushtarakëve dhe kur institucionet e shtetit, deri edhe ato të studimeve shkencore, u vunë nën një presion të madh të fletërrufeve që bënin njerëzit e popullit (gjoja nga poshtë, por të nxitur nga lart.)"
Si për ironi të fatit, Kryeministri Rama publikoi dje “fletërrufenë” e parë të qeverisjes së tij të drejtëpërdrejtë me popullin: një listë e zezë me rreth 100 zyrtarë publikë që “nuk janë sjellë mirë” ndaj qytetarëve. Ja pra në të vërtetë, kur njerëzit e thjeshtë flasin, burokracia hesht. Por edhe pse duket se është produkt i njerëzve të zakonshëm, fushata e Ramës kundër burokracisë e zyrtarëve është nxitur me të vërtetë nga lart. Siç dhe Lubonja sqaron:“Sigurisht, kush e ka marrë seriozisht se Edi Rama ka nevojë vërtet të dëgjojë ankesa e kritika të njerëzve të popullit që të përmirësojë punën e tij, gabohet. Po të kishte nevojë vërtet për të dëgjuar kritika, dhe t’i merrte ato seriozisht, ai do të vraponte tek Erion Veliaj, sapo të shihte qytetarët duke protestuar për parkun që u rrëmbeu fëmijëve pa pikë turpi një javë, pasi u rrëmbeu votën. Jo. Kjo qeverisje direkt me popullin duke anashkaluar institucionet është krejt tjetër gjë nga mirëqeverisja, është bash forma ekstreme e keqqeverisjes.”
Në vend që të tërhiqej pas akuzave dhe kritikave të opozitës dhe të njerëzve që u sulmuan nga kjo listë, Kryeministri Rama – me një stilt ë ngjashëm me atë të Trumpit, - e ashpërsoi tonin kundër “luleve mos më prekë”:"Platforma online e Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm PER SHQIPERINE QE DUAM, e cila do të hapet me fillimin e punës së qeverisë së re, do të jetë ferri i kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm, jo vetëm duke u futur duart në xhepa po qoftë edhe duke u sjellë pa etikë me ta. Dhe nuk do të jetë një ferr thashethemesh digjitale nga qytetarë digjitalë që nuk tregojnë identitetin e tyre, po do të jetë ferri i një koalicioni të madh kundër tepsixhinjve, harbutëve dhe parazitëve që paguhen nga taksat tona dhe pa pikën e turpit abuzojnë sa herë u del në shteg njeriu i zakonshëm me hallin e tij!"
Sa kohë do t’i duhet Bashkimit Europian të kuptojë se katër vitet e “tundjes” së karrotës së anëtarësimit në BE para hundës së Ramas – duke i thënë “bëj vetëm vettingun”, nismë kjo që tashmë u kthye në “krijojmë një Zonë Ekonomike Rajonale”, ka shkaktuar një “reformë të tillë administrative”? Shpërndaje te miqtë
