Komisioni Evropian mirëpret ecurinë pozitive të deritanishme në të gjithë fushat dhe nënvizon nevojën për të parë rezultate të prekshme, veçanërisht në reformën në drejtësi dhe në vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve, dhe të vazhdojë përparimin në të pesë prioritet kyçe, përfshi luftën kundër korrrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshi kultivimin e trafikimin e kanabisit, reformën në administratën publike dhe të drejtat themelore.
Përtej pesë prioriteteve kyçe, Komisioni Evropian theksoi se ka edhe çështje të tjera të rëndësishme për t’u përballur. Në veçanti, Komisioni njohu përkushtimin e autoriteteve shqiptare për të përballur dukurinë e aplikimeve të pabazuara për azil drejt vendeve anëtare të BE-së dhe i nxiti ato të thellojnë përpjekjet e vazhdueshme në trajtimin e kësaj çështjeje.
Me fjalë të tjera, Drejtoresha e Ballkanit Perëndimor në DG-NEAR, Ruiz Calavera është domosdoshmërisht në kontakt të shpesht me qeverinë shqiptare për përparimin e zbatimit të prioriteteve të BE-së. Ashtu sikur ishte e qartë nga Progres Raporti i vitit 2016, Komisioni Evropian është, në përgjithësi, shumë më pozitiv për ecurinë e Shqipërisë se sa është Parlamenti Evropian apo Këshilli i Ministrave të Jashtëm i BE-së, pjesërisht për arsyen e thjeshtë se përparimi reflekton edhe punën e tyre dhe pa zgjerim të BE-së shumë burokratë mund të humbisnin vendin e punës, në veçanti ato që punojnë në DG-NEAR. Qëndrimet e verbëta të Komisionit Evropian për sjelljen dhe politikat e Kryeministrit Rama gjatë viteve të fundit kanë qënë shumë të dukshme, në veçanti lidhur me pesë prioritetet kyçe, të cilat u nënvlerësuan dhe u shpërfillën nga Ambasadorja Romana Vlahutin deri sa realiteti nuk mund të mohohej dot më. Në ndryshim nga ekspertët e ONM-së, Shefja e ONM-së Ruiz Calavera ka interes vetjak që vetingu të konsiderohet sukses dhe përmbushje e një nga pesë kushteve për hapjen e bisedimeve. Është interes që buron nga funksioni i saj si Drejtoreshë në DG-NEAR. Është ky interes, dhe interesi i Komisionit Evropian në përgjithësi, që përshkon deklaratën e DG-NEAR të cituar më sipër, e cila nuk përmend në asnjë formë kërcënimet serioze të qeverisë shqiptare ndaj shtetit të së drejtës. Nga ana tjetër, kjo do të thotë se Ruiz Calavera, për shkak të pozicionit të saj të dyfishtë, është de facto e politizuar dhe, për pasojë, roli i ONM-së është i politizuar. Prandaj, nëse Ruiz Calavera dëshiron me të vërtet të jetë drejtuese e besueshme dhe e pavarur e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ajo duhet të heqë dorë nga procesi i diskutimeve e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe të përqendrohet në punën e vërtet që ka përpara: të sigurojë se reforma në drejtësi nuk do ta kthejë sistemin gjyqësor në një zgjatim të pushtetit ekzekutiv. Shpërndaje te miqtë
