"Për shkak të krijimit të njëpasnjëshëm dhe të shpejtë të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe shpalljes së tyre sipas ligjit nga organet emërtuese, krahas atij të Inspektorit të Lartë të Drejtëisë, si dhe për shkak të mosfunksionimit të Këshillave të mëparshëm, KED (i përkohshëm) i zgjedhur për vitin 2019 është gjendur përballë një situate që shkon përtej parashikimeve kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtij organi kushtetues, si organ kolegjial ad hoc, ku anëtarët e tij në të njëjtën kohë kryejnë edhe funksione të tjera kushtetuese dhe gjyqësore, pa buxhet, infrastrukturë dhe personel të vetë Këshillit, si institucionet e tjera kushtetuese dhe administratës publike."
Duke përfunduar:"Ky Këshill […] kishte një ngarkesë të jashtëzakonshme pune, të pa parashikuar dhe përtej motiveve të hartuesve të Kushtetutës […]."
Çfarë do të thotë kjo? Se shkatërrimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte "plani" i reformës në drejtësi? Herë pas here, si zyrtarë qeveritarë, ashtu edhe ndërkombëtarë shprehin befasi për efektet shkatërruese të vettingut mbi gjyqësorin, sikur asnjë prej kësaj të mos ishte parashikuar kur u hartua legjislacioni nga ekspertët më të mirë dhe më të ditur të financuar nga BE. Ekzistojnë dy shpjegime: Ose reforma në drejtësi u hartua keq sepse nuk arriti të merrte parasysh shembjen e plotë të një gjyqësori funksional, ose të gjithë të përfshirët e dinin se kjo mund të ndodhte, dhe ia mbajtën të fshehtë opinionit publik për të miratuar reformën. Pra, ose janë të paaftë, ose gënjejnë. Me shumë mundësi, për fat të keq për qytetarët shqiptatë, ata i gëzojnë të dy këto veti. Pjesa tjetër e raportit i është kushtuar diskutimit të procedurave për zgjedhjen e anëtarëve e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, raporti hedh poshtë disa nga pohimet e qeverisë rreth përzgjedhjes. Para së gjithash, raporti i KED-it duket se mbështet argumentet e Presidentit Ilir Meta se Parlamenti nuk duhet të zgjidhte gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nga listat që përmbajnë më pak se 3 kandidatë. KED shprehet qartë se "sipas Kushtetutës kërkohet një numër minimal prej 3 kandidatësh që do të zgjidhen nga organi emërues", dhe se në bazë të këtij rregulli i kishte kërkuar Presidentit të ri-shpallte njërën prej vendeve vakate. Zgjedhja e Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit nga Kuvendi, nga listat që përmbanin më pak se tre kandidatë është, sipas vetë KED-it, në kundërshtim me Kushtetutën. Raporti i KED-it, megjithatë, anashkaloi pjesën më të madhe të krizës kushtetuese të shkaktuar nga insistimi i Presidentit që anëtarët të zgjidhen sipas radhës të përcaktuar në Kushtetutë dhe Ligjit të Gjykatës Kushtetuese, dhe injoron faktin se duke i dërguar Presidentit dhe Parlamentit listat e tyre të kandidatëve në kohë të ndryshme, pa marrë parasysh Gjykatën e Lartë, shkeli Kushtetutën. KED nuk jep argumente të mëtejshme për të mbështetur veprimet e tij përveç se deklaron se ka dorëzuar raportet siç kërkohet në ligj. Ndërsa raporti nuk diskuton betejën përfundimtare midis Parlamentit dhe Presidentit për emërimin e Marsida Xhaferllarit dhe betimin "e rremë" para një noteri në Tiranë të Arta Vorpsit, ai vë në rrezik kryetarin e vet, Ardian Dvorani, i cili pretendoi publikisht që Arta Vorpsi ishte bërë ligjërisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Në bazë të këtyre deklaratave, Presidenti Meta më vonë bëri kallzim penal kundër Dvoranit. Prokuroria, megjithatë, e pushoi çështjen. Arritjet e Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë të vitit 2019 janë dëshpëruese: Gjykata Kushtetuese dhe Inspektorat i Lartë i Drejtësisë nuk janë funksionale, pavarësisht të gjitha premtimeve, lutjeve dhe dëshirave të ndërkombëtarëve. Në fund të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese kishte 5 anëtarë, 1 më pak se kuorumi juridikisht i domosdoshëm për të dhënë vendime për çështje, por shkarkimi i Besnik Muçit (i cili u zgjodh në gjykatën më të lartë të vendit edhe pse ende nuk kishte kaluar vetingun me vendim përfundimtar!) çoi në 4 numrin e anëtarëve të GJK. Vitore Tusha, tashmë ka mbaruar mandatin e saj (ashtu si drejtuesi i KED-it Dvorani) dhe duhet të zëvendësohet. Në dhjetor, Presidenti Meta zgjodhi një KED-in e ri për vitin 2020, me të njëtin drejtues, Dvoranin. Këtë herë, KED është i plotë, sepse Parlamenti, pa konsensusin e opozitës, ndryshoi Ligjin e statusit në mënyrë që anëtarët jo vetëm që nuk kanë nevojë të bëjnë vetting, por edhe nuk duhet të kenë mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Kështu si përfundim ky është një ogur i mirë për vitin e ri!
