Rama premton furnizim të ri me vaksina

exit.al 25 Shkurt 2021, 19:24

Kryeministri Rama ka lajmëruar më anë të një postimi në rrjetet sociale se së shpejti, Shqipëria do të ketë furnizim të ri me vaksina.

Kjo deklaratë pason komentet e bëra të martën se qeveria po diskuton me 3 vende ‘mike’ për furnizimin e vendit me vaksina të Covid19 të kompanisë Astra-Zeneca dhe Pfizer.

“Ne na duhet vula mbi marrëveshjen mbi shtetin tjetër mik, e cila ka nisur procesin për 360 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca. Me një vend tjetër mik jemi prapë afër. Një vend i tretë është prapë afër me ne”, u shpreh Rama.

Ai njoftoi se “brenda marsit do të vijnë në vend 40 mijë dozat e Pfizerit”, dhe në prill do të vazhdohet me dozat e vaksinave të kompanisë Pfizer dhe Astra Zeneca.

Ndërsa, gjatë vizitës në pikën e vaksinimit në Berat paraditës e së enjtes, kryeministri tha se shpresonte që në pranverë të fillonte vaksinimi masiv i popullsisë.

Shpërndaje te miqtë