Rama e quan mini-Shengenin përgatitje për në BE

exit.al 22 Shkurt 2020, 12:35

Kryeministri Rama vazhdon të këmbëngulë se mini-Shengeni i Ballkanit është përgatitje për tu bërë anëtarë të BE-së.

Sot, në konferencën për procesin e zgjerimit, ai përsëriti sërisht se “shengeni Ballkanik e bën integrimin në BE më të plotë dhe më të lehtë.”

Ai në vazhdimësi e ka mbrojtur këtë ide. Madje në konferencën e Këshillit Atlantik, më 13 shkurt, Zoti Rama tha se nisma për mini-shengenin ballkanik është e ardhmja e rajonit dhe është në interes kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës.

Qendrimi i Kryeministrit Ramës bie ndesh me qendrimin e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili ka deklaruar se nisma e mini-Shengenit mund të jetë parashikimi i Serbisë për një Jugosllavi të re. Kurti e konsideron mini-Shengeni një “ide” të panevojshme po të kemi parasysh ekzistencën e Procesit të Berlinit që synon të arrijë të njëjtin objektiv.

Për nismën për minishengenin Kryeministri Rama është kritikuar edhe nga opozita shqiptare, ndërsa është vlerësuar nga Presidenti serb Vuçiç.