Rama: Jam rastësisht në politikë, isha i përmbushur si piktor

exit.al 1 Dhjetor 2020, 15:40

Kryeministri Rama ka deklaruar, të martën, se është rastësisht në politikë dhe se pushteti nuk ka qenë ambicia e tij. Në një intervistë dhënë për gazetën franceze Forbes, Rama tha se gjatë gjithë jetës është ndjerë i përmbushur nga jeta ime si artist:

“Jam një politikan rastësor! Gjithmonë jam përmbushur nga jeta ime si artist, piktor dhe profesor i Arteve të Bukura, aq sa kurrë nuk kam pasur ambicie për të ushtruar profesionin e kryeministrit!”

Rama vazhdoi rrëfimin e tij duke theksuar se ka ‘hezituar për një kohë të gjatë’ për tu bërë pjesë e politikës, pavarësisht ofertave. Por ishte ideja për tu ndjerë i dobishëm për vendin e vet ajo që e shtyu t’i hynte politikës:

“Unë hezitova për një kohë të gjatë para se të hyja në politikë kur më ofruan një post ministror. Më në fund, u nxita nga ideja e të ndjerit i dobishëm për vendin tim: Shqipëria kishte një të kaluar shumë të vështirë, më e vështira nga të gjitha vendet komuniste, kështu që unë isha i etur të merrja pjesë në rinovimin e saj, në marshimin drejt progresit dhe lirisë.”

Ai theksoi se citimi i presidentit francez Mitterrand për ”vetminë e udhëheqësit” është i vërtetë, pasi ata që janë në pushtet nuk kuptohen nga të tjerët. Rama tha se kur ishte kryebashkiak nuk haste kaq shumë kritika sa tani që është kryeministër:

“Kur kam qenë kryetar i bashkisë së kryeqytetit Tiranë, nuk përballesha me të njëjtat përgjegjësi dhe të njëjtat kritika. si Kryeministër, unë jam më i ekspozuar ndaj jopopullaritetit sepse bëhet fjalë për fillimin e reformave strukturore në nivel kombëtar.

Do të huazoj një citim tjetër nga presidenti Mitterrand i cili ka folur, dhe me të drejtë, për ‘vetminë e udhëheqësit’.

Ishte e vërtetë dje, është e vërtetë edhe sot.”

Shpërndaje te miqtë