Qeveria bën gati karantinën për koronavirusin në Durrës

exit.al 9 Mars 2020, 14:15

Karantina në Shtëpinë e Pushimit në Durrës është gati për të strehuar personat e prekur me koronavirus sipas nevojës. Këtë e konfirmoi shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive Silva Bino e cila deklaroi:

“Karantina është gati. Është në Durrës, do transportuohen atje njerëzit sipas nevojës.”

Zonja Bino tha se Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar rrugën që ka ndjekur pacienti zero, djali 28-vjeçar i prekur nga koronavirusi, dhe ka kontaktuar me të afërmit dhe personat me të cilët ai ka pasur kontakt që prej 26 shkurtit:

 “Kemi një rast të importuar, ky quhet pacienti zero, i cili ka hyrë në vendin tonë. E kemi të qartë rrugën që ka ndjekur dhe kontaktet që ka pasur. Kontakti më i ngushtë është i ati, edhe ai i infektuar. Vijojmë gjurmimin e kontakteve të dyta apo të treta të tij, që mund të jenë prekur.”

Deri tani 14 persona që kanë pasur kontakt me dy personat e infektuar po testohen nëse janë prekur apo jo me koronavirus. Ministria do të informojë menjëherë qytetarët për rezultatet e testimeve. Qeveria mori sot disa masa si ndalimin e fluturimeve e mbylljen e shkollave për përballimin e krizës së koronavirusit. Më tepër mund të lexoni këtu.