14 të afërm me të prekurit me koronavirus po testohen

exit.al 9 Mars 2020, 13:26

14 persona që kanë pasur kontakt me dy personat e infektuar po testohen nëse janë prekur apo jo me koronavirus, nga Instituti i Shëndetit Publik. Këtë lajm e dha ministrja e Shëndëtësisë Ogerta Manastirliu në një konferencë për shtyp. Ajo tha se ministria do të informojë menjëherë qytetarët për rezultatet e testimeve. Zonja Manastirliu i bëri thirrje qytetarëve që të besojnë tek personeli mjekësor që po përballet me koronavirusin:

“Personeli shëndetësor është i mirëtrajnuar sipas protokolleve të OBSH-së.

Duhet të kemi besim tek personeli ynë shëndëtësor. Nuk është hera e parë që ata përballen me sëmundje të tilla infektive.”

Ministrja i kujtoi dhe njëherë qytetarëve që nëse dyshojnë se kanë simptomat e koronavirusit, të telefojnë urgjencën në numrin 127.