"Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë, si trafikanti i dënuar i drogës Emiljano Shullazi, për të cilët media pretendon se vazhdon të kryejë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Ose Lul Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha mbetet i lirë. Dhe së fundi, magjistari Klement Balili, një trafikant ndërkombëtar droge, i kërkuar nga Greqia dhe Agjencia e Zbatimit Anti-Drogë (DEA) e SHBA, por që ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Ka edhe shumë Shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri. Pyesni cilindo oficer policie dhe ai apo ajo do të tregojë edhe një duzinë tjetër drejtuesish të krimit që meritojnë të jenë në burg."
Por, tani është e qartë se jo vetëm sistemi gjyqësor shqiptar është i korruptuar, por edhe që krimi i organizuar ka patur akses të plotë në nivelet më të larta të qeverisë dhe të policisë, direkt me ish-ministrin e Brendshëm, i cili ka përfituar nga aktiviteti i trafikut të drogës së kushurinjve të tij, sipas përgjimeve, të paktën disa milionë euro në muaj. Tani, për çudi të tërëve, duket se milionat e taksapaguesve amerikanë të hedhura në programin e OPDAT-it për të ndihmuar policinë dhe prokurorinë shqiptare të luftojë në mënyrë efektive trafikimin dhe kultivimin e drogës dhe krimin e organizuar, ishin hedhur në projektin e reformës në drejtësi të drejtuar nga një ministër, i cili për katër vite ishte, të paktën, në listën e pagave të një organizate kriminale shqiptaro-italiane. Pra, çfarë duhet të bëjë Ambasadori Lu? Të përmendë edhe një herë gjyqtarët e korruptuar dhe prokurorët, të cilët dështuan të arrestojnë vëllezërit Habilaj dhe Saimir Tahirin për gjithë këto vite, duke i lënë atyre rrugë të lirë në zyrat e qeverisë? Apo më në fund ai do të përmendë njeriun me të cilin doli në podium në vitin 2015 për të deklaruar sukseset e mëdha kundër drogës? Ndoshta është më mirë që më parë të marrë edhe një lugë tjetër nga ajo pjata me imam bajalldi dhe pastaj të lutet që ajo të jetë vërtetë ashtu siç e ka emrin. Shpërndaje te miqtë
