Politikanët urojnë besimtarët me rastin e Ditës së Novruzit

exit.al 22 Mars 2021, 09:30

Politikanët shqiptarë uruan të hënën besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Novruzit. Përmes një postimi në Facebook, Presidenti Ilir Meta uroi besimtarët duke theksuar se kjo ditë do të sjellë pranverën në zemrën e çdo shqiptari.

“Gëzuar Festën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e Imam Aliut! Një shpresë e re po lind dhe një epokë me mundësi të reja po çel bashkë me rigjallërimin e natyrës! Diell dhe Pranverë në zemrën e çdo shqiptari!”

Kryeministri Edi Rama po ashtu uroi në një status në Facebook të gjithë besimtarët, duke shkruar:

“Gëzuar Ditën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian”.

Ndërsa kryeparlamentari Gramoz Ruçi përmes një letre drejtuar kryegjyshit Edmond Brahimaj shkruan se bektashinjtë kanë treguar për vite të tera tolerancë e paqe.

 “Forca e qëndresës bektashiane po shfaqet edhe gjatë këtyre stinëve të vështira të pandemisë, duke lehtësuar pasojat e saj të besimtarët dhe të gjithë shqiptarët. Bektashizmi, kjo shkollë e madhe e tolerancës, është njëkohësisht një shkollë e madhe e besimit, fuqisë, mbijetesës dhe rezistencës ndaj të keqes.”

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka uruar përmes një postimi në Twitter uroi besimtarët bektashinj. Ai shkruan:

"Gëzuar nga mot Sulltan Novruzin! Qoftë kjo ditë e bekuar një ogur i mbarë për çdo shqiptar e për çdo familje që sot i lutet Zotit për të mirën, shëndetin dhe ngadhënjimin mbi të keqen!"

Shpërndaje te miqtë