Pfizer/BioNTech do të kërkojë miratim për vaksinën për moshat 5-11 vjeç

exit.al 10 Shtator 2021, 11:56

Kompania BioNTech njofroi për median gjermane Der Spiegel se, së shpejti, do të kërkonte miratim për përdorimin e vaksinës kundër COVID-19 për grupmoshën nga 5-11 vjeç.

"Tashmë gjatë javëve të ardhshme ne do t'i paraqesim rezultatet e testeve tona, për moshën 5 deri në 11 vjeç pranë rregullatorëve në të gjithë botën dhe do të kërkojmë miratimin e vaksinës në këtë grupmoshë, përfshirë këtu në Evropë," deklaroi zyrtari i kompanisë, Oezlem Tuereci të përjavëshmen gjermane.

Ajo shtoi se përmbajtja e vaksinës ishte modifikuar për të përmbushur nevojat pediatrike.

Të dhënat e testimeve, që presin për t'u shqyrtuar, po përgatiten për një vlerësim nga agjensitë rregullatore dhe madje, kompania po përshtat edhe procesin e prodhimit për këtë qëllim.

"Cdo gjë duket mirë, gjithçka po shkon sipas planit," pohoi Shefi Ekzekutiv Ugur Sahin për Der Spiegel.

Deri tani, vaksinat Pfizer/BioNTech janë miratuar për përdorim për të rriturit dhe fëmijët mbi 12 vjeç.