“Ne qeverisemi nga krimi dhe njerëzit e gabuar. Me vjen shumë keq, por njerëzit nuk kanë zgjidhje tjetër. Realiteti është që ata nuk kanë zgjidhje tjetër. Vetëm në rast se reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian zbatohen me të vërtetë, diçka mund të ndryshojë.”
30 vjet pas rënies së regjimit komunist, Partia Socialiste, trashëgimtare e Partisë Komuniste, është në pushtet dhe po qeveris e vetme, me dorë të hekurt. Shumë shqiptarë ndjehen të zhgënjyer nga çfarë ka ndodhur në politikën shqiptare dhe për më tëpër, ata mendojnë se asgjë nuk do të ndryshojë. “Komunizmi mbizotëroi për një kohë të gjatë, por pasi ra të gjithë kishim shpresa të mëdha, përfshi dhe mua”, tha dikush. “Shpresa për të jetuar në Shqipëri është duke u shuar nga akumulimi i dramave politike 25-vjeçare, korrupsionit në çdo sektor dhe kulturës së pandëshkueshmërisë”, vazhdoi më tej ai. Arlinda, një mësuese nga Tirana shpjegon se ndihet e braktisur nga të gjithë politikanët dhe politikat e tyre prej 30 vitesh:“Akush, asnjë politikan i vetën, që unë njoh nuk ka punuar për vendin apo për ne - vetëm për veten e tij.”
Të gjithë ata me të cilët kam folur, shprehen se nuk duan vërtet të largohen nga vendi, por nuk kanë zgjidhje tjetër, pasi cilësia e jetesës në Shqipëri nuk është mjaftueshëm e mirë për ta. Kristi, një studente 23 vjeç, më thotë:“Çdokush e di se peshku i madh ha të voglin dhe ne jemi peshku i vogël. Unë dua të largohem sepse dua një jetë më të mirë dhe e di që s’mund ta kem këtu. Ndoshta mund të kthehem këtu vetëm për të vdekur.”
Mbas korrupsionit dhe dështimit të klasës politike për të përmirësuar cilësinë e jetës, rrogat dhe kushtet e mjerushme të punës janë disa nga faktorët e tjerë që i bëjnë njërëz të largohen. “Asgjë nuk mund të sigurohet me një minimun page prej 200 euro - nëse je një arkitekt apo inxhinier me pesë vite ekperiencë, paga nuk është më shumë se 400 euro. E nëse nuk punon më shuimë se 9 orë, pushohesh nga puna,” thotë Lorena. “Rroga ime nuk është e mjaftueshme për të paguar qiranë, faturat dhe për të blerë ushqim. Kompania ime nuk paguan sigurime ashtu siç kërkohet nga ligji, po s’mund të ankohem pasi mund të më pushojnë,” tregon ajo. Saimir shpjegon se si “pabarazia e thellë sociale”, e përkeqësuar nga klasa politike, është duke e ndarë vendin në dy pjesë:“Ata pasurohen, ne varfërohemi dhe humbasim shpresën - kështu funksionon.”
Elisa, një e re e arsimuar në të 20-tat e saj shprehet se ndihet e dëshpëruar për karrierën e saj. Ajo shpjegon se si mungesa e vlerësimit dhe e meritokracisë në çdo aspekt të shoqërisë, bashkë me trajtimin që klasa politike i bën qytetarëve si ata të ishin budallenj, e bën atë të ndihet e pashpresë në Shqipëri:“Nuk mund ta duroj injorancën që na imponohet çdo ditë – nuk mund të rri në një vend që ka humbur vlerat humane e vazhdon të mburret për to. Dua të jetoj diku në Bashkimin Europian ku të vlerësohem për atë që di të bëj, jo për kë njoh.”
Një tjetër vajzë e re, e cila punon me kohë të plotë për të përballuar studimet, shprehet se nuk mund të vazhdojë të jetojë në një vend ku duhet të sakrifikojë kaq shumë vetëm për tu edukuar dhe më pas, diploma që ajo merr të jetë kaq e pavlefshme. “Në Shqipëri, meritokracia nuk funksionon – duhet të kesh një miq që të ndihmojë ose duhet t’i afrohesh shefit”, tregoi ajo. Këto situata me të cilat qytetarët përplasen çdo ditë, bëjnë që ata të marrin masa drastike. Disa tentojnë të udhëtojnë drejt Evropës në mënyrë të paligjshme, të tjerët aplikojnë për azil, dhe disa të tjerë bëjnë kompromis me veten dhe i futen punëve të pista për të siguruar një lloj jetesë. Arbri është 22 vjeç dhe po studionte për inxhinieri kur u arrestua. Policia e kapi me një sasi të vogël hashashi dhe kaloi 3 muaj në burg, derisa u lirua, por tashmë ka një njollë të përhershme në të shkuarën e tij. Ai shpjegoi se filloi të shiste sasi të vogla hashashi dhe kokaine për të përballuar shpenzimet e studimeve.“Nuk mund t'i përballoja librat apo provimet. Fillova punë natën por ishte e pamundur të punoja 50 orë në javë për 200 euro në muaj dhe më pas të shkoja në shkollë gjatë ditës. Mendova se duke u shitur miqve hashash mund të fitoja para shtesë derisa të mbaroja shkollën.”
Ai u arrestua, u përjashtua nga shkolla dhe tani ka një precedent penal që e pengon të gjejë punë. E vetmja shpresë është të largohet nga Shqipëria. “Isha i dëshpëruar,” pëshpërit, “çfarë tjetër të bëja?!”
