Përmbledhje e aktivitetit të Elton Debreshit, 15 prill

exit.al 15 Prill 2021, 21:00

Kandidati i pavarur në qarkun e Dibrës, Elton Debreshi zhvilloi të enjten një takim me dy sindikalistë.

Ai u takua me Sokol Dautajn, kreun e Sindikatës së Naftëtarëve dhe Durim Skënderaj anëtar i sindikatës së naftëtarëve.

Ata ishin në Dibër për të takuar Debreshin dhe për t’i shprehur atij mbështetjen,.

“Me Sokolin dhe Durimin jemi takuar në grevën e naftëtarëve te Ballshit për pagat e pashlyera, në protestat e tyre në Tirane, por edhe në peticionin kombëtar për statusin e minatorit, të cilin e nënshkruan edhe naftëtarët”, tha Debreshi në një postim në Facebook.

Debreshi u shpreh se minatorët e Bulqizës dhe naftëtarët e Ballshit janë punëtorë që i kanë dhënë shumë Shqipërisë. Ai tha se punëtorët në këmbim kanë marrë vetëm diskriminim, varfëri dhe rropatje.

“Lufta jonë për punë, paga, pensione dhe perspektivë është e përbashkët”, tha Debreshi.

Ai shpërndau një postim falenderues për dy gazetarët Alfred Lela dhe Beti Njuma për mbështetjen që i kanë dhënë kandidimit të tij.

“Alfredi dhe Beti janë gazetarët të cilet i kanë dhëne shumë zë kauzës së minatoreve të Bulqizës. Një kafe me ta në Tiranë është gjithmonë kënaqësi”, tha Debreshi.

Të mërkurën Debreshi ishte në Dars të Klosit ku u takua me banorë dhe minatorë.

“Sot në Shqipëri kanë status dhe njihen si zanate shume profesione, por jo edhe puna me e vështirë, ajo e minatorit. Statusi do te japë paga dhe pensione me te larta, te drejta dhe mundësi për mijëra familje minatorësh”, tha Debreshi.