Përfundon takimi Hoti-Vuçiç: marrëveshja firmoset nesër

exit.al 3 Shtator 2020, 22:11

Kryeministri Hoti dhe Presidenti Vuçiç përfunduan takimin e tyre në Shtëpinë e Bardhë. Hoti në një konferencë para media tha se të dy palët kanë bërë përparime në fushën e ekonomisë dhe theksoi se nuk u fol për shkëmbim të terrioreve. Ai tha se nesër pritet të finalizohet diskutimi që kanë pasur delegacionet e shteteve gjatë dialogut në Uashington. "Jemi takuar me O’brien dhe Grenell. Kishim një takim me presidentin serb gjithashtu. Nesër presim të finalizojmë këtë diskutim që patëm sot”, u shpreh Hoti, sipas gazetës Express. Hoti u shpreh i bindur se nuk ka marrëveshje të dëmshme që propozohet nga Shtëpia e Bardhë:

"Një gjë mund t’iu them që marrëveshje të dëmshme dhe të papranueshme asnjëherë nuk kanë ardhur dhe nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë”.

Gjithashtu, Hoti deklaroi se nuk është shtruar e as nuk do të shtrohet në tavolinë cështja e diskutimit të territoreve:

“As nuk është shtruar e as nuk do të shtrohet në tavolinë çështja e shkëmbimit të territoreve”.

Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington të enjten po zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq, lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Shpërndaje te miqtë