Përditësim 31 mars: 2 viktima të tjera nga Covid-19 në Shqipëri, shkon në 15 totali

exit.al 31 Mars 2020, 17:33

Dy pacientë 69 dhe 77 vjeç me Covid-19 vdiqën pasditen e së martës në Spitalin Infektiv duke e çuar totalin në 15 të vdekur me koronavirus në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se: 77-vjeçari me inicialet I.B nga Kavaja pësoi infarkt të papritur, ndërsa 69-vjeçari me inicialet R.P nga Hasi nuk mundi t'i mbijetonte ndërlikimeve pas 3 ditësh që ishte në frymëmarrje të drejtuar.

I moshuari nga Kavaja trajtohej prej 17 marsit në Spitalin Infektiv. Ai vuante gjithashtu nga diabeti, veshkat dhe zemra.

Ndërsa 69-vjeçari nga Hasi po trajtohej për Covid-19 që prej 23 marsit. Autoritetet nuk saktësuan nëse ai vuante nga sëmundje tjetër.

Kështu tashmë janë 15 viktima nga 243 të infektuarit me koronavirus në Shqipëri.