PD, Tabaku lexon raportin e DASH-it për klimën e të bërit biznes

exit.al 10 Shtator 2020, 12:05

Ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Takaku akuzoi kryeministrin Rama se për shkak të qeverisjes së tij të korruptuar, në Shqipëri nuk vijnë investitorët amerikanë. Në një deklaratë për shtyp, Tabaku lexoi përfundimet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në vend:

“Përfundimet e Departamenti Amerikan të Shtetit tregojnë se kjo qeveri është e kalbur nga korrupsioni, duke varfëruar shqiptarët akoma më shumë.

Për shkak të korrupsionit të qeverisë Rama, shqiptarët nuk përfitojnë dot nga milionat e investimeve amerikane.

Raporti thekson raste konkrete të bizneseve amerikane, që janë larguar si rezultat i korrupsionit qeveritar me të cilin janë përballur. Qeveria ka qenë armiqësore ndaj investimeve të tilla, ka favorizuar korrupsionin përballë investimeve të partnerëve strategjikë të vendit.”

Ish-deputetja theksoi se Shqipëria ka nevojë ‘të çlirohet nga prangat e një monopoli vrastar për ekonominë dhe qytetarët.’ Ajo premtoi se qeveria e drejtuar nga Partia Demokratike do të ketë në bazë të programit të saj konkurrencën e lirë dhe rikthimin e saj në çdo sektor dhe treg, taksën e sheshtë 9% e cila do të rrisë investimet e huaja dhe vendase, mundësi për të gjithë ata që duan të punojnë ndershmërisht, një shtet të drejtë dhe jo pengues për biznesin. Shpërndaje te miqtë