PD: Skema e rimbursimit detyron shqiptarët të blejnë ilaçet vetëm në 5 kompani farmaceutike

exit.al 7 Dhjetor 2020, 15:31

Partia Demokratike deklaroi se skema e rimbursimit i detyron pacientët të marrin ilaçet nga 5 kompani në mënyrë që ato të rimbursohen. Në një postim në facebook, sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi shkruan se vendimi i qeverisë përjashton ilaçet e marra për trajtim para përgjigjes së tamponit dhe pse mjeku i familjes i ka diagnostifikuar si Covid.

“Skema e rimbursimit është e paprecedentë. Udhëzimi emërton jo vetëm ilaçet dhe vitaminat e rimbursueshme, por përcakton edhe se prodhimi i cilës kompani farmaceutike do të rimbursohet. Udhëzimi detyron pacientin të blejë vetëm tek 5 kompani ilaçet e rimbursueshme, duke shkelur rëndë ligjin.

Kushti që ilaçet rimbursohen vetëm kur (pasi) pacienti konfirmohet pozitiv nga ISHP, e bën praktikisht të pazbatueshëm vendimin për rimbursimin. Është fakt që mjekët e familjes, bazuar në simptomat e pacientit apo rezultatet e testit të kryera në privat, e fillojnë mjekimin e pacientëve pa pritur konfirmimin e testit nga ISHP.”

Bardhi shtoi se qytetarët meritojnë një qeveri që kujdeset për ta dhe meritojnë një rimbursim të plotë të ilaçeve. Shpërndaje te miqtë