PD padit në SPAK Blendi Klosin e Tërmet Peçin, për korrupsion e shkatërrim të pasurive

exit.al 17 Shtator 2020, 11:20

Partia Demokratika ka paditur, të enjten, në SPAK ministrin Blendi Klosi, kryetarin e bashkisë Tepelenë Tërmet Peçin dhe dy drejtorë socialistë për shkatërrim të pasurive natyrore, korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Në një dalje për media nga selia e PD-së,  Jamarbër Malltezi sqaroi të treja paditë:

Padia e parë ndaj Blendi Klosit dhe drejtorëve të tij Zamir Dedej dhe Edison Konomi bëhet 'për kthimin e Parkut Kombëtar Dajt në një gurore masive për interesat e xhepit të zyrtarëve dhe oligarkut të qeverisë Gjoka Konstruksion'.

Padia e dytë është për Zamir Dedejn, i cili akuzohet për vjedhje, përmes shpërdorimit të detyrës rreth 490 mijë euro para publike përmes shoqatave që ai drejtonte, fillimisht duke çuar buxhetin e shtetit tek shoqata që drejtonte, derisa u emërua drejtor, e më pas në një shoqatë të paregjistruar fare në QKB dhe me NIPT që nuk ekziston.

Padia e tretë është për Termet Peçin, kryebashkiakun e Tepelenës dhe sërish për Zamir Dedej, të cilët kanë lejuar dhe dhënë leje për ndërtim objekti 6 katësh në shtratin e lumit, tek ‘Uji i Ftohtë’, në kundërshtim me Ligji për Zonat e Mbrojtura dhe Ligji për Burimet Ujore.

PD i bëri apel SPAK-ut që të hetojë të treja dosjet me përpikmëri dhe të vërë para përgjegjësisë autorët.

Shpërndaje te miqtë