PD denoncon blerjen e votave në Tiranë nga Tom Doshi, akuza SPAK-ut për mos hetim

exit.al 9 Maj 2021, 12:42

Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK, 3 javë para zgjedhjeve, deputetin Tom Doshi dhe dy persona të tjerë pasi pretendon se kanë blerë vota dhe kanë shantazhuar votuesit në njësinë 4 të Tiranës.

Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesi i PD, Enkeled Alibeaj publikoi kallëzimin e bërë nga PD në SPAK dhe deklaroi se ky i fundit “heshti” duke lejuar zbatimin e skemës së blerjes së votave.

Sipas PD-së, Tom Doshi, Filip Gjeloshi dhe Pal Gjeloshi kanë blerë vota në favor të Partisë Social Demokrate dhe kanë shantazhuar me vendin e punës votuesit që punojnë në bizneset e deputetit Doshi që “të votojë dhe të sigurojë 20 emra dhe karta ID si vota të sigurta”.

Alibeaj deklaroi se personat e përfshirë në këtë skemë për blerje vote janë të përfshirë në krime si "vrasje, rrëmbim personi dhe shumë të tjera”.

“Prej më shumë se 1 muaji, SPAK-ut i ishin vënë në dispozicion numrat e tyre të telefonit dhe zona ku veprojnë për të shpërndarë para për blerjen e votave, por ata u lanë të lirë të deformojnë vullnetin e zgjedhësve”, tha ai.

PD do të dorëzojë sot në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve kërkesën për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në 9 qarqe të vendit dhe përsëritjen e zgjedhjeve në këto zona.