Sot banda e Edi Ramës me lëvizjen që kreu po synon të vrasë me një gur një bandë e gjysmë kundërshtare. Njëra bandë është PD, e cila, duke u përjashtuar nga parlamenti ka shumë gjasa që për katër vjet të tretet si opozitë, por edhe po të hynte në zgjedhje këtë fat do të kishte.
Gjysma e bandës tjetër është LSI, që duke dalë nga roli i ndërmjetësit në luftën midis dy bandave kryesore, humbet këtë funksion dhe bëhet targeti i radhës për bandën e madhe.
Ai shprehet se vendi nuk do të kishte përfunduar në këtë gjendje nëse politika do të përfaqësonte me të vërtet popullin dhe jo vetëm elitat e korruptuara.Është e gabuar që kjo t’i dedikohet thjesht zotësisë apo maskarallëkut të Ramës e Metës siç thonë disa. As paaftësisë së Bashës apo korruptimit të disa ambasadorëve, siç thonë disa të tjerë.
Sigurisht këta kanë përgjegjësitë e tyre në këtë që po ndodh, por Edi Ramës e Ilir Metës dhe ambasadorëve të tyre as nuk do t’u shkonte ndërmend të bënin këtë që bënë sikur partitë (dhe këtu e kam fjalën për të tria, jo vetëm për PD-në) të përfaqësonin vërtet popullin dhe jo një grusht njerëzish që kanë vjedhur e grabitur sistematikisht këtë vend.
Ndaj, sipas Lubonjës, populli i ka humbur shpresat për ndryshim nga partitë politike dhe e vetmja zgjidhje që i ka mbetur është “të zgjedhë status kuonë, të ikë nga vendi, ose të punojë në plantacionet e kanabisit që menaxhohet nga banda në pushtet”. “Këtu duhet të shtojmë faktin se vitet e fundit grushtit të njerëzve në fjalë u janë shtuar me shumicë edhe ata krerë grupesh kriminale që aq më pak kanë nevojë të ketë opozitë, sepse punët i kryejnë me policinë që e ka maxhoranca” – vazhdon Lubonja në shkrimin e tij. “Ilir Meta dhe Edi Rama […..] duhen parë në kontekstin e sistemit të grabitjes që kanë ngritur së bashku me “rremtarët” kriminalë me të cilët bashkëpunojnë për të çuar anijen shqiptare drejt theqafjes përfundimtare” — shkruan ai. “Eliminimi i PD-së në udhëtimin e tyre drejt kësaj theqafjeje po mundësohet pikërisht nga logjika e punës dhe e interesave të këtyre njerëzve. Nëse do të kërkojmë përgjegjësinë e PDsë në këtë lojë, duhet thënë se kryesorja është se ajo ka aplikuar të njëjtën logjikë, pra se nuk ka ditur të jetë përfaqësuese e popullit. Prandaj thirrjet e Berishës për “revolucion demokratik” tingëllojnë sot si ato thirrjet e atij bariut që gënjeu disa herë njerëzit se ujku po i hante delet, dhe, kur ujku erdhi vërtet, nuk shkoi më njeri që t’ia shpëtonte”, — e mbyll shkrimin e tij Fatos Lubonja. Botuar në Panorama.com.al Shpërndaje te miqtë
