Palmer: SHBA shpresojnë që BE të nisë negociatat me Shqipërinë

exit.al 4 Dhjetor 2020, 19:50

“Shqipëria ka shënuar përparim të mjaftueshëm për të justifikuar hapin e mëtejshëm, Konferencën Ndërqeveritare. Do të donim që një gjë e tillë të bëhej para fundit të presidencës gjermane”. Kështu u shpreh Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer në një intervistë për Zërin e Amerikës, të premten. I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor përgëzoi miratimin e reformës zgjedhore:

“Mendoj se Shqipëria ka bërë shumë. Nëse sheh çështjen e reformës zgjedhore, reformat për të cilat ishte rënë dakord, të kthyera në legjislacion në përputhje me rregullat e ODIHR-it, mjaft kohë përpara zgjedhjeve të prillit. Ishte një hap përpara dhe një fitore për demokracinë e Shqipërisë”.

Ai shtoi se vendi ka ende për të bërë si:

“Gjykata Kushtetuese të formohet dhe të gjykojë çështje, do të donim të shihnim një pakësim të çështjeve të prapambetura, rreth 35 mijë prej tyre që presin të gjykohen nga Gjykata e Lartë.

Do të donim të shihnim që Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK-u të funksiononin me kapacitet të plotë dhe përparim në këtë drejtim. Kjo është një përpjekje afatgjatë”.

Intervistën e plotë e lexoni ketu. Shpërndaje te miqtë