“U tronditëm kur mësuam se një gazetar u kërcënua me armë ditën e djeshme në një qytet në veri të Shqipërisë, katër ditë pas sulmit me armë kallashnikov në drejtim të shtëpisë së gazetares Klodiana Lala”Pauline Ades Mevel, drejtuesja e Reporterëve pa Kufij për Ballkanin, u shpreh se:
Të qëllosh në shtëpinë e një gazetari me kallashnikov dhe të kërcënosh me armë një tjetër është praktik e papranueshmë që përdoret për të frikësuar dhe për t’i mbyllur gojën gazetarëve të cilët guxojë të hetojnë ngjarje të dyshimta dhe krimin e organizuar, i cili mbizotëron në Shqipëri.
Ne i bëjmë thirrje autoriteteve të dënojnë çdo sulm dhe të mbrojnë gazetarët në mënyrë që ato të mund të kryejnë detyrën e tyre për raportimin e lajmit.
Më 3 shtator, Julian Shota, korespondenti i Report TV u kërcënua me armë në kokë dhe nuk u lejua të raportonte mbi shpërthimin e ndodhur në një bar-kafe në Laç, nga vetë pronari i lokalit. Policia ka shoqëruar në komisariat pronarin e lokalit por e ka lënë të lirë ditën e sotme. Sipas deklaratës së një gazetari për Reporterët pa Kufij,“Laçi është një qytet i rrezikshëm me banda të fuqishme kriminale të cilat nuk janë në shënjestrën e policisë vendore.”
Më 30 gusht, u qëllua me armë kallashnikov në drejtim të shtëpisë së prindërve të gazetares investigative Klodiana Lala. Deri më tani nuk dihen se kush janë autorët e ngjarjes. Por në një postim në Facebook, gazetarja Lala u shpreh se sulmi është i lidhur me punën e saj si gazetare. Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Kryetarja e Komisonit të Medias në Kuvend Albana Vokshi, e cila u shpreh se “liria e medias dhe jeta e gazetarëve në Shqipëri është çdo ditë e më shumë e kërcënuar”. Deputetja Vokshi shtoi se sulmet e vazhdueshme të Kryeministrit Rama ndaj gazetarëve ka bërë që gazetarët të shënjestrohen nga bandat kriminale. Gjithashtu, Drejtuesi i Unioni të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa u shpreh se:Solidarizohem me të dy gazetarët e kërcënuar së fundi dhe me të gjithë gazetarët që dhunohen apo kërcënohen për shkak të detyrës dhe misionit të tyre.
Zoti Cipa vuri në dukje se “në periudhën 2017-18 janë shtuar më tej gazetarët e kërcënuar në detyrë, që kërkuan azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, dhe shumë të tjerë kërkuar shtetësi në vende të tjera”. Shqipëria renditet në vend të 76-të nga 108 vende të analizuara për lirinë e shtypit nga Reporter pa Kufi për vitin 2017. Shpërndaje te miqtë
