“Ligji përcakton kushtet formale dhe/ose kërkesat minimale për përzgjedhjen e anëtarëve në këshill, por lë një nivel të caktuar të vendimit në interpretim. ONM dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, brenda kornizës së tyre të pavarësisë dhe përgjegjësisë, kanë vlerësuar në mënyrë të ndryshme kërkesat minimale për tre raste [kandidatë]. ONM ka vërejtur pikëpamjet e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, i cili e ka kthyer vendimin në Kuvend, si institucioni i fundit vendimmarrës.
Dështimi për të rënë dakord me Parlamentin çoi në miratimin automatik të një liste përfundimtare të nxjerrë me short, në përputhje me mekanizmat e zhbllokimit të miratuara me ligj. Megjithëse Komisioni do të kishte preferuar që Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të miratonte plotësisht rekomandimin e ONM-së, nuk kemi asnjë arsye për të kundërshtuar ligjshmërinë e vendimit, pasi vetë ligji mund të çojë në interpretime të ndryshme.”
Edhe pse ONM-ja mund të mos ketë "baza ligjore për të kundërshtuar ligjshmërinë e vendimit", ky do të ishte momenti i përkryer që Këshilli Drejtues të theksonte rëndësinë e ONM-së në reformën gjyqësore . Megjithatë, ambasadorët Lu dhe Vlahutin heshtën. Në përgjigje të pyetjes të Exit.al nëse ONM do ta theksonte incidentin me institucionet shqiptare në raportin e ardhshëm të BE-së, ONM deklaroi:"Komisioni Evropian po harton aktualisht raportin e Shqipërisë 2018, duke shqyrtuar përparimin në të gjitha fushat kryesore të politikave. Në këtë fazë nuk mund të bëhet asnjë koment për sa kohë procesi është në vazhdimësi."
Me fjalë të tjera, kur Komisioni Evropian të prezantojë progresin e reformës në drejtësi, - një nga pesë prioritetet kyçe, - nuk do të përmendet se si reforma po zbatohet në të vërtetë. Kjo do të ishte sigurisht një keqinterpretim tronditës i fakteve, sepse në fakt qeveria shqiptare po injoron këshillat e misionit ndërkombëtar që duhej të garantonte mbarëvajtjen e reformës! Disa ditë më parë, ONM paraqiti një ankesë kundër Komisionerit Publik Heral Saraçi për "pengimin" e procesit të verifikimit. Të hënën e kaluar, Saraçi u dënua nga një Komision Disiplinor ad hoc i përbërë nga anëtarë të Kolegjit të Apelit dhe u hoq nga pozicioni. Heral Saraçi pretendoi se nuk i ishte sqaruar se cilin ligj kishte shkelur saktësisht dhe mbi cilin bazë ligjore u shkarkua nga detyra, duke fajësuar kështu "vakumin ligjor" për Komisionerët Publik. Por nga të gjitha ankesat që ONM mund të kishte bërë, përse pikërisht kjo? Përse ONM nuk foli kundër Gramoz Ruçit kur ai shkeli Kushtetutën dhe u përfshi në emërimet në institucionet e vetingut? Përse ONM nuk foli kundër Genci Gjonçajt, kur ai i shpërfilli totalisht rekomandimet e ONM-së dhe kualifikoi dikë që nuk i përmbushte kriteret? Përse ONM nuk sqaroi interpretimin e asaj pjese të Kushtetutës ku flitet për ONM-në, duke përfshirë dhe çdo bord që duhej "nënkuptuar", sipas Johannes Hahn? Në vend të gjithë këtyre, ONM zgjodhi të denoncojë një objektiv pa aleatë politik: një Komisioner Publik. ONM zgjodhi objektivin më të dobët që mund të sillte më pak dëm në procesin e vetingut: zëvendësuesit e Saraçit ishin gjithsesi gati për të zënë vendin dhe asnjë politikan nuk do t’i vinte në ndihmë Saraçit - nga frika e "ndërhyjes" publikisht në procesin e "paanshëm" të vetingut. Me këtë aksion, bordi menaxhues "thjesht administrativ" i ONM-së i ka dhënë një sinjal të qartë elitës politike shqiptare: nuk na interesojnë kushtet në të cilat duhet të bëjmë punën tonë. Nuk na intereson kuadri ligjor në të cilin veprojmë. Na interesojnë vetëm njerëzit e vegjël në zyrën tonë të vogël të vetingut, që kontrollojnë nëpër dosjet e vogla të gjyqtarëve e prokurorëve më periferikë, bazuar në nenet e Kushtetutës të interpretuara brenda kuadrit më të vogël të mundshëm të imagjinatës sonë të limituar. Ne nuk do t’i prekim miqtë tanë të mëdhenj. Ju lutem, mos na prekni as ju ne- na lini të largohemi nga ky vend në paqe! Shpërndaje te miqtë
