
Temperaturat e nxehta të gushtit duket se do të vazhdojnë edhe kur pushimet të kenë mbaruar, sezoni i ri politik të ketë nisur dhe e gjithë administrata publike të jetë kthyer në punë.
Dy pushtete të veçanta, qeveria dhe prokuroria e posaçme, kanë lëshuar rastësisht dy njoftime të ngjashme, por për qëllime të kundërta.
Brenda 24 orëve, qeveria dhe SPAK-u, njëra pas tjetrës, kanë lajmëruar hapjen e konkurseve për rekrutimin e punonjësve të rinj.
Qeveria ka nevojë për punonjës për imazhin dhe kurimin e informacionit. SPAK-u ka nevojë për hetues për shkak të ngarkesës së hetimeve.
Për t’i bërë jehonë nevojës për influencues dhe propagandues, është investuar vetë Kryeministri Rama, i cili në faqen e tij në Facebook lajmëroi të enjten një thirrje për punësimin e të rinjve në Agjencinë për Media dhe Informim.
Kryeministri u kujdes të nënvizonte se kjo hapje e dyerve për të rinj e të reja që duan të shërbejnë në sektorin publik bëhej “në kuadrin e ndryshimeve për Kthesën e Mandatit të Katërt”.
Propagandën Kryeministri e shet si kontribut për të mirën publike, ndaj ai ka ftuar “profesionistë, të rinj, ekspertë dhe krijues që duan të kontribuojnë në komunikimin publik”.
Ai u ka dhënë dy mundësi profesionistëve që kërkon: “puno me ne”, si i punësuar në strukturat e komunikimit të institucioneve qeveritare; ose “bashkëpuno me ne”, duke sjellë “ide, projekte apo zgjidhje konkrete për të përmirësuar mënyrën si institucionet komunikojnë me qytetarët”.
Pak orë nga njoftimi i Kryeministrit, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, edhe ajo përmes një njoftimi publik në Facebook, lajmëroi thirrjen për punësimin e 40 hetuesve për nevojat e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
SPAK-u kërkon kandidatë të shkolluar në drejtësi, financë, siguri dhe fusha të tjera që lidhen me misionin e BKH-së, si dhe me më shumë se një vit përvojë pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë të lidhur me misionin e BKH-së.
Ndryshe nga qeveria, SPAK-u ka theksuar se kriteret e integritetit, figurës dhe pasurisë janë shumë të rëndësishme për t’u punësuar.
Dy thirrjet e njëkohshme kanë qëllime të ndryshme.
Ai i prokurorisë lidhet me nevojën për të përballuar ngarkesën e madhe të hetimeve me të cilën përballen prokurorët e posaçëm kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit, të cilat kohët e fundit po shfaqen të ndërlidhura në rrjete të sofistikuara interesash ekonomike dhe politike.
Qëllimi i qeverisë, siç ka theksuar Kryeministri në shpjegimet për nismën e tij BESA, tashmë është të shpjegojë, informojë dhe komunikojë me njerëzit për t’u shpjeguar reformat dhe arritjet e qeverisë. Pjesë e këtij shpjegimi është edhe justifikimi se korrupsioni që heton SPAK-u është i shkëputur, i kryer nga individë të caktuar dhe jo dukuri e qenësishme e qeverisë.
Duke i parë këto dy njoftime për të marrë në punë ekspertë, nuk mund të mos ndjesh ironinë e tyre: SPAK-u po kërkon të marrë në punë ekspertë për të futur në burg ekspertët që po merr në punë Kryeministri.
Shpërndaje te miqtë
