OECD e rendit Shqipërinë të katërtën në botë për emigrimin e intelektualëve

exit.al 5 Janar 2021, 15:36

Shqipëria renditet e katërta në botë për emigrimin e personave më aftësi të larta në punë, sipas raportit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Raporti bën fjalë për vitet 2000/2001 deri në 2015/2016.

Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe rritja e normës së emigrimit të personave me aftësi të larta në Shqipëri është 14.6 pikë, pas Liberisë me 27.9 dhe Butanit me 15.4.

Pas Shqipërisë renditet Rumania, me rritje 11.8.

Raporti i OECD nxjerr në pah se Shqipëria renditet edhe ndër 10 vendet e para në botë për normën e emigracionit të personave me aftësi të larta.

Në Europë, vendet e Ballkanit janë ndër burimet më të mëdha të emigrantëve, sipas raportit.

Shqipëria ka një normë totale emigrimi prej 29%, Bosnjë dhe Hercegovina prej 20% dhe Maqedonia e Veriut prej 18%.

Raporti ka sjellë reagime në Shqipëri nga ana e politikanëve.

Përmes një postimi në Twitter, Rama tha se raporti është me të dhënat e 5-6 viteve më parë.

Presidenti Ilir Meta komentoi rezultatet e raportit dhe tha se 25 prilli është mundësi për të rikthyer standardin e jetesës në vend.

 

Shpërndaje te miqtë