OBSH miraton për përdorim vaksinën e kompanisë kineze Sinopharm

exit.al 7 Maj 2021, 18:39

Vaksina e Sinopharm, e prodhuar nga Grupi Kombëtar Biotec i Kinës, është bërë vaksina e pestë kundër Covid-19 e miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Vaksinës iu dha leja e përdorimit emergjent të premten, që do të thotë se tani mund të shpërndahet globalisht dhe të përdoret si pjesë e skemës Covax të OBSH-së për të siguruar vaksina kundër koronavirusit në vendet e varfëra.

Vaksina, e cila merret në dy doza të ndara nga tre deri në katër javë, u miratua për përdorim tek të rriturit e moshës 18 vjeç e lart. Nuk është përcaktuar asnjë tavan për moshat ku mund të përdoret kjo vaksinë, pavarësisht se OBSH është shprehur se mungesa e të moshuave në provat klinike do të thotë se "efikasiteti nuk mund të vlerësohet në këtë grup moshë".

"OBSH-ja rekomandon që vendet që përdorin vaksinën tek grupmoshat më të vjetra të kryejnë monitorim të sigurisë dhe efikasitetit”, njofton OBSH.

Deri tani OBSH ka miratuar për përdorim vaksinat e prodhura nga kompanitë Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Janssen.