Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës mban nesër mbledhjen e parë

exit.al 7 Maj 2021, 18:18

Komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta që u ngrit sot (7 maj) nga Kuvendi, do të mbajë mbledhjen e parë ditën e nesërme (8 maj).

Mbledhja do të zhvillohet në orën 11:00 në Kryesinë e Kuvendit, thuhet në njoftimin për mediat.

Kuvendi miratoi ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, me 97 vota pro dhe 6 kundër.

Komisioni do të drejtohet nga deputeti Alket Hyseni dhe ka afat pune 1 muaj. Nisma për shkarkimin e Metës u mor nga 49 deputetë socialistë.

Ata kërkojnë shkarkimin e presidentit Meta për shkelje të paanësisë gjatë zgjedhjeve të 25 prillit.

Zëdhënësi i presidentit Meta deklaroi në një konferencë për shtyp pas ngritjes së Komisionit Hetimor, se presidenti nuk do të njohë asnjë vendim të Kuvendit.