Numri i të infektuarve në botë kalon 60 milionë

exit.al 25 Nëntor 2020, 20:20

Numri i të infektuarve me koronavirus në botë ka tejkaluar 60 milion, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins (JHU) dhe agjencisë së lajmeve Reuters.

Reuters shkroi se ritmi i infeksioneve të reja po përshpejtohet dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) po raportojnë numrin më të lartë të shtrimeve në spital. Zyrtarët i nxitën amerikanët të qëndronin në shtëpi për festën e 'Falënderimeve' pasi numri i madh i pacientëve u rrit.

SHBA-të kanë raportuar 1 milion raste të reja në më pak se një javë, duke çuar infeksionet totale të raportuara në mbi 12.5 milion dhe numrin e vdekjeve në 260,000, sipas të dhënave të Reuters, i cili bazohet në deklarata zyrtare.

Universiteti John Hopkins, i cili i bazon shifrat e saj në burime zyrtare dhe mediatike, tha se 60,037,735 janë infektuar që nga fillimi i pandemisë. Më shumë se 1.4 milion njerëz raportohet të kenë vdekur.

Shpërndaje te miqtë