Një tjetër punonjës i Gardës gjendet i vrarë

exit.al 2 Tetor 2018, 10:07

Një gardist 30 vjeç me inicialet A.M, është vrarë dje në mbrëmje teksa kryente shërbimin pranë Gardës së Republikës në Tiranë.

Policia dyshon se gardisti “ka vrarë veten me armën e shërbimit”.

Ministria e Brendshme ka lëshuar njoftimin e saj zyrtar ku shkruan:

"Rreth orës 23:00, të mbrëmjes së kaluar në ambjentet e Gardës së Republikës, teksa po kryente shërbimin pranë hyrjes dytësore të institucionit, punonjësi i Gardës A.M., 30 vjeç, nga Përmeti, dyshohet se ka vrarë veten me armën e shërbimit.

Për hetimin e rastit u ngrit nje grup i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë.

Grupi hetimor ka administruar dhe sekuestruar prova që forcojnë dyshimin se akti është kryer në kushtet e tronditjes psikike."

Deri më tani dihet se A.M kishte vetëm pak muaj që kishte nisur punë si efektiv në Gardë.

Kjo është ngjarja e dytë e rëndë që ndodh në ambientet e Gardës në muajt e fundit. Shkëlzen Qordja, shofer i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, u gjet i vrarë në 30 qershor, brenda në makinën e tij në ambientet e Gardës. Njësoj si në rastin e A.M, Ministria e BRendshme njoftoi se Qordja u vetëvra me armën e shërbimit.

Shpërndaje te miqtë