Por tani që Rama është bërë kryeministër, as Ingelsit dhe as Maasit nuk u duhet më të garojnë në konkurse publike për të marrë projekte nga qeveria. Ata nuk kanë më as frikën se mund t’i “humbasin” sërish projektet e tyre. Tani, atyre thjesht ju pritet bileta për në Tiranë dhe ju jepet në dorë dosja që u është caktuar. Pa bërë asnjë pyetje.
Në fakt, Winy Maas ka qenë duke peshkuar për këtë mundësi për vite me rradhë. Në vitin 2013, menjëherë, pas fitores së zgjedhjeve nga Rama, Maas erdhi në Tiranë për të marrë pjesë në konferencën qeveritare "Shqipëria e Gjeneratës Tjetër ".
Dhe lobimi i tij ka sjellë frute. Fillimisht në vitin 2016, Qeveria Rama e nxori Piramidën, ish-muzeun e diktatorit Enver Hoxha, nga Qendra Historike Monumentale e Tiranës, duke e lënë atë të pambrojtur nga përpjekjet për ta rizhvilluar në të ardhmen. Në dhjetor 2016, qeveria e kaloi pronësinë e Piramidës dhe truallit të saj nga Ministria e Kulturës tek Bashkia Tiranë, duke e kthyer, kështu, vendim-marrjen në lidhje me të nga një çështje kombëtare në lokale. Nëse më parë vendimmarrja për këtë objekt duhej të kalonte në Këshillin e Ministrave tani ajo mbetet vetëm në dorë të Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Një muaj më vonë, Winy Maas u shfaq tek Piramida, së bashku, me artistin Anri Sala (i cili bashkëpunoi me Atelier 4 për rindërtimin e Sheshit Skënderbej) për të “diskutuar të ardhmen” e Piramidës.
Si rezultat i këtij “diskutimi”, pak javë më parë Winy Maas njoftoi se do të jetë ai projektuesi që do të bëjë projektin e ri të Piramidës — pa asnjë diskutim, pa procedurë apo transparence publike. Ashtu si për projektin e Ingelsit për Teatrin Kombëtar, edhe në rastin e Piramidës u zhvillua një vendim-marrje nga lart-poshtë duke shpërfillur çdo formë të konsultimit publik dhe standard të vendim-marrjes publike.
Dhe çfarë bën Maas në shkëmbim të kësaj pune fitimprurëse? I bie përqark botës për të lëvduar qeverinë Rama. Shikoni, për shembull leksionin e tij të mbajtur së fundmi në Shkollën e Arkitekturës AA në Londër. Në fund të leksionit, Winy Maas flet për Shqipërinë. Pse për Shqipërinë? Sepse “është një vend pa para, ku njerëzit vetëm pijnë kafe dhe ku nuk ka asgjë për të bërë.”
Është njësoj sikur të dëgjosh fjalët dhe propagandën karakteristike të vetë të Ramës: "Tani me një rritje ekonomike prej 8 për qindësh. Si mund t’ja arrish kësaj gjëje? Është si një mini-Kinë, në një farë mënyre, por, gjithsesi, në mënyrë shumë demokratike. "(Vine Re: parashikimi i FMN-së për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2017 është 3,9 për qind.)
Në leksion, ekskursioni i tij virtual nëpër Shqipëri fillon me rrëfimin turpërues se si firma e tij projektoi ndërtesën Toptanit dhe pas zbuloi, pas disa viteve heshtje, se Atelier 4 kishte marrë në dorë projektin. Maas pohon: "Nuk ishin detajet e mia fare, ndërtesës i mungon diçka, dhe mënyra si u zhvillua pjesa e brendshme... ok, kjo iku. Pyetja është, çfarë vjen më pas?”
Në vend të ketë apo shprehë zemërim për mënyrën si idetë e tij u vodhën nga një kompani tjetër dhe u ndryshuan gjatë procesit, Maas vazhdon rrëfimin e tij me projektin tjetër të dështuar, “Tirana Rocks”. Por edhe për këtë projekt nuk flet gjatë.
Rama zgjidhet kryeministër dhe rrëfimi bëhet interesant sepse Maas shprehet "zhvilluesit po pasurohen më shumë ". Nuk ka asnjë reflektim kritik se si u pasuruan këta zhvillues, dhe si ky proces i pasurimit të tyre ka shkatërruar hapësirën publike në Tiranë dhe ekonominë shqiptare. Jo, Maas sheh vetëm mundësi për të ndërtuar dhe tani me të vërtetë.
Nga ky leksion mësojmë se Winy Maas është arkitekti i kullës DownTown Tirana—deri tani emri i tij i ishte fshehur publikut në Shqipëri—kullë që do të ndërtohet edhe kjo pjesërisht në tokë publike, e cila i është dhënë një ndërtuesi privati nën kushte të paqarta dhe pa asnjë procedurë transparente. Për më tepër, ndërtesa tregon hartën e Shqipërisë:
“Diskutova me disa politikanë europianë në lidhje me këtë. Sepse, a mund ta bësh një gjë të tillë? Është nacionalizmi diçka e mirë apo e keqe? Por Shqipëria ka nevojë për të [nacionalizmin], për të treguar se është seksi. Më pëlqen të them se ky është një projekt europian, sepse do të jetë fantastik… Kjo është Shqipëria. Pihet kafe në të gjitha tarracat.”
Nuk ja vlen të merresh me zbrazëtinë intelektuale të këtyre pohimeve dhe rrezikun e mundshëm të tyre në kontekstin e sotëm të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, ku nacionalizmi është kthyer në një kancer që po gërryen sundimin e ligjit dhe sistemet demokratike. Do të ishte po ashtu e tepërt të diskutosh përshkrimin orientalist që Maasi u bën shqiptarëve se shqiptarët kanë “punësimin” kryesor "pirjen e kafesë", pa hetuar më parë faktin e mrekullueshëm që shqiptarë të caktuar — klientët e tij oligarkë — janë bërë mrekullisht të pasur nga kjo lloj vrarje kohe. Një nga projektet e fundit të përmendur nga Maas, që me sa duket nuk është miratuar ende, është përgjigje ndaj një kërkese të Kryeministrit Rama: "Edi më tha: ‘Dua të bëj diçka me historinë." Dhe sigurisht, Maas iu përgjigj kërkesës menjëherë. Një kullë në formën e kokës së Skënderbeut, ndërtuar në qendër të Tiranës, mes Hotel Tiranës dhe Teatrit të Operas dhe Baletit.
Në një farë mënyre, edhe DownTown Tirana edhe Koka flasin për të njejtin rregull të pashkruar në art. Kurdoherë që arti kthehet në art gjykues, kurdoherë që arti i lëpihet pushtetit dhe e shpalos hapur në mënyrë të pacipë servilizmin e tij, ai kthehet në art kitsch. Dhe nuk ka asgjë më kitsch sesa një kullë në formën e hartës së Shqipërisë apo një kullë në formën e kokës së Skënderbeut.
Mungesa e thellësisë dhe një dimensionalizmi i këtyre projekteve jo vetëm që tregojnë një mungesë të jashtëzakonhsme imagjinate që mund të krahasohet vetëm me projektin Shkup 2014 të ish-kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski, por ato tregojnë, gjithashtu, se si korrupsioni dhe nepotizmi mpijnë dhe tulatin intelektin dhe të menduarit kritik.
Po e mbyll këtë artikull me citimin e fjalëve përmbyllëse të Maas rreth Shqipërisë:
“Kjo është Shqipëria në këtë moment. Dhe është për të qeshur, natyrisht, ta festojmë atë në këtë moment në Evropë, ku nga njëra anë Britania e Madhe del dhe Shqipëria futet. Dhe unë dua të theksoj që këtë moment gjithashtu ne mund të mësojmë prej saj, mendoj. Nga energjia e Shqipërisë që dëshiron të shkojë më tej, që dëshiron të gjejë një mënyrë për ta bërë atë në një mënyrë të vetën.”
Shpërndaje te miqtë
