“Track record”

Ornela Çuçi 12 Gusht 2026, 07:52

“Track record”

Është ndoshta termi më i rëndësishëm në dokumentin prej 47 faqesh me kriteret për mbylljen e negociatave për Kapitullin 27, Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike.

Në gjuhën e negociatave, kjo do të thotë bilanc i provuar, i qëndrueshëm dhe i matshëm i zbatimit të ligjeve që janë harmonizuar me ato të BE-së.

Pra, tashmë Europa kërkon nga Shqipëria jo vetëm ligje të përafruara në letër me kuadrin e BE-së, por prova se ato zbatohen në praktikë dhe, kur shkelen, shteti është në gjendje t’i zbatojë dhe të ndëshkojë shkelësit.

Që në kriterin e parë për këtë kapitull, Komisioni Europian kërkon “përparim të prekshëm drejt një bilanci të provuar dhe të qëndrueshëm të zbatimit dhe detyrimeve ligjore”, veçanërisht për vlerësimin e ndikimit në mjedis të investimeve, sidomos atyre infrastrukturore, pjesëmarrjen publike në vendimmarrjen mjedisore dhe qasjen në drejtësi për çështjet e mjedisit.

Pjesa më interesante e kushteve të BE-së lidhet me debatin e sotëm në Shqipëri. Në kriteret për mbrojtjen e natyrës, Komisioni ka vendosur dy kërkesa që nuk kanë nevojë për shumë interpretim:

— “Shfuqizim i plotë i të gjitha dispozitave të papajtueshme të prezantuara me ndryshimet e vitit 2024 të ligjit për Zonat e Mbrojtura.”

— “Shfuqizim dhe ndalim i zgjatjes së afatit të ligjit të vitit 2015 për Investimet Strategjike.”

Shkurt, qartë, pa diplomacinë gjuhësore me të cilën jemi mësuar në raportet e BE-së.

Në Raportin e Përparimit 2024, ndryshimet që iu bënë ligjit për Zonat e Mbrojtura u cilësuan si zhvillim negativ në fushën e mbrojtjes së natyrës.

Në raportin e vitit 2025, shqetësimet u rishprehën, diplomatikisht, siç është në karakterin e Komisionit.

Por, në dhjetor 2025, në dokumentin që shtjellon kriteret që duhet të përmbushë Shqipëria për mbylljen e kapitullit të mjedisit, ajo që më parë ishte kritikë apo rekomandim shndërrohet në kërkesë direkte dhe të panegociueshme.

Për Investimet Strategjike, formulimi është kategorik: shfuqizojeni dhe ndaloni efektet. Jo përmirësojeni, jo harmonizojeni gradualisht. Thjesht dhe qartë, ndërpriteni dhe shfuqizojeni.

Për Zonat e Mbrojtura, Komisioni nuk kërkon shfuqizimin e ligjit, por të dispozitave të papajtueshme të futura në vitin 2024. Pra, kërkon shfuqizimin e ligjit 21/2024, që lejoi ndërtimet në zonat e mbrojtura.

Të lexuara së bashku, këto kërkesa japin një mesazh shumë konkret për mënyrën se si duhet të administrohet territori shqiptar sipas vlerave europiane.

Vlera ekologjike dhe statusi ligjor i një zone duhet të përcaktojnë kufijtë brenda të cilëve mund të zhvillohet një aktivitet ekonomik dhe jo e kundërta.

Kjo nuk do të thotë se Europa po i kërkon Shqipërisë të mos investojë dhe askund dokumenti nuk kërkon ndalim të investimeve.

Por BE-ja kërkon që asnjë investim, sado i madh, sado turistik apo “strategjik” të jetë, të mos përjashtohet nga rregullat që mbrojnë natyrën dhe territorin.

Pikërisht për këtë, Komisioni kërkon jo vetëm ndryshime ligjore, por edhe prova konkrete për mënyrën se si janë zbatuar lejet mjedisore në investimet në energji, transport dhe turizëm.

Komisioni kërkon të dijë sa investime janë miratuar pa bërë studimin e ndikimit në mjedis. Kërkon të dijë sa inspektime për zbatimin e standardeve mjedisore janë bërë, sa ndëshkime ka pasur dhe cilat raste janë kundërshtuar në gjykatë apo shqyrtuar nga organizma ndërkombëtarë.

Këtu merr kuptim termi “track record”: bilanc zbatimi.

Një ligj mund të ndryshohet shpejt, por një bilanc i besueshëm zbatimi kërkon kohë.

Bilanci provohet me vendime, inspektime, sanksione, procese gjyqësore dhe me mënyrën konkrete se si institucionet kanë vepruar kur interesi ekonomik është përplasur me detyrimet mjedisore.

Këto nuk janë më vetëm argumente të organizatave mjedisore apo kundërshtime të komuniteteve, por pjesë e dokumentacionit zyrtar të procesit të anëtarësimit.

Dhe këtu lind edhe një pyetje legjitime për vetë Komisionin Europian.

Ndërsa në dokumentet teknike, formulimet janë shumë të qarta—shfuqizim i plotë—a nuk është koha që e njëjta qartësi të shprehet në komunikimin publik të BE-së?

Në një fazë kur Shqipërisë po i kërkohet jo vetëm harmonizim ligjesh, por edhe një “bilanc zbatimi” i provuar, qytetarët duhet të dinë jo vetëm sa kapituj janë hapur apo synohen të mbyllen, por edhe çfarë konkretisht duhet të ndryshojë vendi për t’i mbyllur ato.

Çështja nuk është sa shpejt mund të ndryshojmë e miratojmë një ligj për t’ia dërguar Brukselit.

Çështja është: a do të ndryshojmë mënyrën se si e kemi përdorur territorin dhe se si kemi vepruar me natyrën?

 

Shpërndaje te miqtë