“Bashkia e Tepelenës refuzoi për më shumë se një vit që t’i kalonte në pronësi një sipërfaqe me pyje dhe kullota kompanisë “Kendervica energy”, kompania që ka fitur tenderin për ndërtimin e HEC DRIZA 1.
Bashkia thotë se hidrocentrali prek Kanionet e Nivicës që janë monument natyror, cënon potencialin turistik të zonës dhe se projekti nuk është konsultuar me banorët.
Por në qershor të këtij viti Gjykata Administrative e Gjirokastrës vendosi në favor të “Kendervica Energy”, e cila kishte paditur bashkinë për mos kryerjen e procesit, dhe urdhëroi Bashkinë e Tepelenës që të kryente veprimet administrative të kalimit të tokave, pyje dhe kullota, në shërbim të kompanisë koncesionare.
Gjykata tha se dokumentet tregonin që kompania, kishte marrë prej vitit 2014 deri në mesin e 2016-tës, miratimin e Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë e Energjitikës, disa agjencive vartëse të tyre që vlerësonin projektin dhe ndikimin e tij në mjedis. Po ashtu Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë dhe ai i Restaurimeve, lëshuan raporte ku thuehj se zona nuk ishte “prioritet për turizmin” dhe se HEC-i nuk prekte monumentet kulturore aty apo zonat me potencial arkeologjik.”
Por pretendimi se “zona nuk është prioritet për turizmin” duket se bie poshtë me dedikimin e Kryeministrit Rama, në Facebook, për Nivicën gjatë fushatës zgjedhore, ku përkrah një kolazhi fotosh të fasadave të rikonstruktuara të disa shtëpive, shkruante:“Ju uroj një ditë të mbarë me këtë kolazh fotosh të Nivicës së Kurveleshit, një nga thesaret e shumta të lëna në harresë e mjerim për çerekshekull që sot, me shkëlqimin e rikthyer, është transformuar në një nga perlat e turizmit tonë historik, kulturor e malor. Kemi bërë shumë. Më shumë akoma mbetet për të bërë.”Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë realisht në Nivicë duke qenë se as hidrocentrali dhe as bujtina nuk kanë filluar të ndërtohet, pra asnjë nga dy projektet për këtë zonë nuk kanë nisur zbatimin. Por ajo që mund të thuhet me siguri është se projekti për rikonstruktimin e çative dhe fasadave të Nivicës, që Kryeministri Rama reklamoi, është projekt i nisur që në vitin 2011, i përfunduar në vitin 2014 dhe i financuar nga Banka Botërore. Ndaj duket se Qeveria Rama deri më tani ka miratuar për Nivicën projekte që e dëmtojnë, siç është ndërtimi i Hidrocentralit Driza 1, dhe jo projekte që do ta kthenin atë në një pikë turistike. Shpërndaje te miqtë
