E. A: “… ata janë në shtratin bashkëshortor, por është më keq se u kapën e krevatin e zotërisë që kam në studio, në banesën e vjehrrit”
Avokati: “Akoma më keq, ka çnderuar banesën e vjehrrit, pas kësaj ngjarje duhet t’i ishin marrë fëmijët nga shërbimet sociale dhe ato të traumës”
E. A: “Kjo nënë mund t’i marr këta fëmijë dhe mund të bëjë ç’të dojë, është një nënë e padenjë për t’i rritur këta fëmijë” (më pas)
E. A pyet avokatin: “A rrezikohen këta fëmijë nga e ndënjura me nënën?”
Avokati: “Po, këta fëmijë rrezikohen si me nënën ashtu edhe me gjyshin. Shërbimet sociale duhet t’i marrin”
E. A: “Ah, ju thoni që t’i marrin shërbimet sociale, po le të rrinë më mirë me familjarët e tyre, është më mirë”. (biseda vazhdon)
Në të gjithë skenën kuptohet qartë cilët janë aktorët e ngjarjes. Është e qartë dhuna ndaj gruas, si verbale ashtu edhe fizike, shkelja e privatësisë së nënës, shkelja e privatësisë së fëmijëve. Skena seksi që shfaqen në mes të ditës, kur fëmijët janë përpara ekranit. Gjithë çështja e trajtuar, po ashtu edhe komentet dhe nuk kanë asnjë interes publik për të zënë hapësirë në televizion. Ata që diskutonin në studio i referoheshin ngjarjes me fjalët “akt i turpshëm”, dhe kjo vetëm se mendohej, sepse në video nuk duket që fëmijët kanë qënë dëshmitar okular të ngjarjes. Gruas, duke ju shkelur privatësia dhe dinjiteti, nëpërmjet dhunës psikologjike i bëhen edhe kërcënime, ku do privohet nga kujdestaria, e cila do t’i kalojë kunatit, vëllait të burrit. E gjithë kjo ngjan me hedhjen e gurëve mbi gruan e mjerë dhe aspak me një program televiziv. Gruaja pas këtij dëmtimi moral, fizik dhe shpirtëror që ka kërcënuar se do të vrasë veten, ka kërkuar përkrahjen e familjes së saj. Vetë babai i saj ka shkuar në studio për të justifikuar të bijën se është vajzë e re edhe burrin e ka larg prej kohësh. Siç mund të kuptohet lehtësisht nga faktet ky emision nuk ka aspak lidhje as me gazetarinë, as me të bërit televizion. Gazetaria, në kuptimin e saj klasik, mbahet mend si: puna, aktiviteti, i profesionit të gazetarit. Është po ashtu mënyra e të shprehurit në shtyp. Gazetari është ai që ka si zanat të shkruajë në një gazetë, ose të bëjë një kronikë, reportazh etj për televizionin, pra gazetari ka si qëllim të informojë nëpërmjet një medie, qoftë kjo shtyp i shkruar, radio, televizion, apo së fundmi edhe nëpërmjet mediave online. Pra, puna e një gazetari ka të bëjë me mbledhjen, verifikimin, seleksionimin, sintetizimin dhe deri diku komentimin e fakteve të cilat ai do t’ia serviri publikut. Më parë, profesioni i gazetarit ishte më shumë i lidhur me profilin e njeriut të angazhuar shkrimtar, apo njeriut të letrave. Për këtë arsye shumë shkrimtarë të njohur kanë edhe një histori të gjatë dhe të lavdishme gazetarie. Këtu përmendim: Dino Buxatin, Ernest Hemingëay, Emile Zolan, Alber Camus, Petro Marko, etj. Gazetaria dhe shkencat sociale ushqejnë një dimension të shoqërisë që prej shumë kohësh ka munguar në vendin tonë. Ato ushqejnë ato që quhen “kuriozitetet demokratike”. Por gazetari sot nuk duket sikur raporton ngjarje, as sikur zgjon këto që i quajmë kuriozitete demokratike të një shoqërie, as sikur mban një anë morale apo të drejtë të asaj që ndodh. Ai sot ngjan më shumë se mbytet në ngjarje. Në fakt gazetarët duhet të kenë të njëjtën ndërgjegje profesionale si kanë edhe mjekët, arkitektët, avokatët. Sepse ata kanë në dorë formimin dhe edukimin e opinionit publik, njëjtë siç mjekët, janë përgjegjës për shëndetin, avokatët për të vërtetën etj. Në këtë pikë, gazetari si qënie politike dhe shoqërore, nuk ngatërrohet më me militanitin, ai është një shkallë më poshtë, sepse “fotografia” e tij nuk shoqërohet më me një ideologji që ai beson, përkundrazi. Në fakt emisioni me “Zemër të hapur” është fotografia e shoqërisë sonë. Kohët e fundit është vënë re shpesh që televizioni ka zënë vendin e institucioneve të munguara dhe jo funksionale. Në televizor qytetarët shkojnë për të zgjidhur hallet e pronës, hallet e divorceve, hallet e gjakmarrjes, halle të cilat kur kanë trokitur në dyer të tjera nuk ia kanë hapur për t’ua zgjidhur. Prandaj dalin të gjitha në televizor, tanimë televizioni nuk është ai i shoqërisë së spektaklit, ose të paktën jo në Shqipëri, sepse ne nuk jemi një vend i spektaklit, jemi akoma më keq. Televizioni është në një pikë midis kronikës dhe zezë dhe spektaklit të turpshëm të të pahijshmes por që s’ka të bëjë aspak me dhomën e gjumit të askujt. Në televizor natyrisht që nuk zgjidhet halli. Por nga televizori na përplaset të gjithëve në shtëpi ajo nga e cila nuk mund të shpëtojmë dot, shoqëria jonë. Shpërndaje te miqtë
