Luan Rama kryeministrit e ministrit të Brendshëm: Dërgoni në prokurori 124 të dyshuarit për trafik droge

exit.al 1 Gusht 2017, 14:58

Nënkryetari i LSI Luan Rama i ka kërkuar publikisht Kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm Demiraj të dërgojnë në prokurori listën me 124 persona të dyshuar si narkotrafikantë. Me anë të një statusi në profilin e tij, Zoti Luan Rama tha se nuk mjafton të deklarojnë publikisht se kanë informacione:

"Si funksionarë të lartë të shtetit ata duhet ta dinë se e kanë për detyrë të veprojnë në zbatim të ligjit duke kryer si hap të parë dërgimin e listës së emrave dhe të të gjithë të dhënave që kanë në Prokurori!"

Zoti Rama i kërkoi Prokurorisë të nisë menjëhere procedurat që parashikon ligji për të hetuar të gjithë personat në listën e kryeministrit. Ekzistenca e listës me 124 emra personash të përfshirë në trafikun e kanabisit në vend u bë e ditur dje nga Kryeministri Rama gjatë një takimi me Task-Forcën, ku lajmëroi dhe se së shpejti Policia e Shtetit do të nisë një luftë të egër kundër trafikut të kanabisit. Shpërndaje te miqtë