Naftëtarët e Ballshit nisin negociatat me kompaninë për rrogat e prapambetura

exit.al 27 Gusht 2020, 11:30

Një ditë pas rinisjes së protestës për pagat e prapambetura, naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit kanë nisur negociatat me përfaqësuesit e kompanisë që menaxhon rafinerinë.

Takimi mes dy palëve po zhvillohet me ndërmjetësimin e nëndrejtorit të policisë së Fierit.

Naftëtarët rinisën të mërkurën protestën pasi nuk kanë marrë 3 paga të prapambetura. Naftëtarët kërkojnë gjithashtu rifillimin e punës së rafinerisë.

Rafineria e naftës në Ballsh ka vite që has probleme keqmenaxhimi edhe pse është një nga sektorët kyç të ekonomisë së vendit.

Në shkurt 2020, naftëtarët u futën dhe në grevë urie për rrogat prapambetura por pranuan të riktheheshin sërish në punë kur u njoftuan se një kompani e re do të merrte administrimin e rafinerisë dhe se do të gjehej një mundësi për të paguar rrogat e prapambetura.

VOA ka cituar se analistë të ekonomisë të thonë se kompani të regjistruara në parajsa fiskale e marrin rafinerinë në përdorim nuk shlyejnë detyrimet ndaj shtetit dhe punëtorëve dhe largohen duke lënë pas detyrime edhe më të mëdha.

Shpërndaje te miqtë