Mullah Baradar, kreu i ri i qeverisë talebane

exit.al 3 Shtator 2021, 10:13

Mullah Baradar, kreu i zyrës politike të talebanëve, do të udhëheqë qeverinë e re në Afganistan.

Lajmi u bë i ditur nga agjensia e lajmeve Reuters, e cila citoi të premten të paktën tre burime nga grupi islamik.

Abdul Ghani Baradar është një bashkëthemelues dhe nënkryetar i talebanëve në Afganistan, pas udhëheqësit suprem, Hibatullah Akhundzada.

Por, Baradar konsiderohet si udhëheqësi de facto, duke u njohur me titullin honorifik Mulla.

Baradar ka mbajtur poste të larta qeveriate gjatë sundimit të talebanëve nga 1996 në 2001.

Pasi qeveria talebane ra me pushtimin e Afganistanit nga SHBA-ja në 2001, ai u bë udhëheqësi de fakto i talebanëve.

Baradar u burgos nga Pakistani në vitin 2010, ndoshta sepse kishte diskutuar një marrëveshje paqeje me qeverinë afgane fshehurazi.

Ai u lirua në vitin 2018 me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe më pas, u emërua një nënkryetar i talebanëve dhe kreu i zyrës së tyre politike.

Talebanët formojnë sot qeverinë e re në Afganistan, pas rimarrjes së pushtetit në vend më 15 gusht.

Mullah Mohammad Yaqoob, djali i themeluesit të talibanëve, Mullah Omar dhe Sher Mohammad Abbas Stanekzai do të marrin poste të larta në qeveri.