Mjeku Prifti kërkon lirim nga burgu dhe kthim të parave të konfiskuara

exit.al 18 Shkurt 2021, 11:32

Mjeku Edvin Prifti ka apeluar në Apelin e Posaçëm vendimin për masën e sigurisë arrest me burg si dhe sekuestrimin e parave.

Sipas BalkanWeb, mjeku Prifti ka kërkuar ndryshim të masës në detyrim paraqitjeje si dhe kthim të parave të sekuestruara pasi ato janë të ligjshme.

Ai shprehet se sekuestrimi i tyre është bërë në mënyrë të paligjshme, sepse ato janë gjetur gjatë kontrollit në çantën e tij. Kjo gjë është bërë sipas mjekut pa vendim gjykate.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) vendosi arrestimin e mjekut Prifti.

SPAK vendosi më 11 shkurt pezullimin nga detyra të Priftit, pasi u kap në një përgjim të sekretares së Gjykatës së Krujës për kryerjen e një operacioni jashtë radhe në këmbim të parave.

Më pas, prokurori Martini pas gjetjes së shumës prej 250 mijë euro në banesën e mjekut vendosi ndryshimin e masës së arrestit, në “arrest me burg”.

Shpërndaje te miqtë