Ministria e Financave kundërshton Ademin: Nuk kemi bllokuar fondet e Bashkisë Shkodër

exit.al 21 Gusht 2019, 13:28

Ministria e Financave dhe Ekonomisë kundërshtoi sot deklaratat e kryetares së Bashkisë Shkodër Voltana Ademi se qeveria ka bllokuar pagesat dhe fondet e bashkisë. Me anë të një deklarate për shtyp, Ministria sqaron se:

“Ditën e djeshme janë ekzekutuar nga Dega e Thesarit, Shkodër,  të gjitha pagesat dhe urdhërpagesat e depozituara nga Bashkia Shkodër brenda orarit zyrtar dhe sipas gjithë procedurave ligjore.

Për këtë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit dhe Dega  e Thesarit, Shkodër,  ka gjithë dokumentacionin e nevojshëm  përsa më sipër.   

Kështu që bazuar mbi të gjitha  këto arsyetime që paraqitëm më lart,  Ministria e Financave  dhe Ekonomisë ju bën me dije, se ky dikaster është në funksion të zbatimit të ligjit për të gjithë  qytetarët njësoj pa dallime.”

Dje kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi denoncoi se Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, nën varësinë e Ministrisë së Financave, ka njoftuar Drejtorinë e Thesarit Shkodër se mandati i Voltana Ademit ka mbaruar, ndaj nuk duhet të miratohet asnjë pagesë e Bashkisë ndaj palëve të treta. Për këtë, Voltana Ademi vuri në dijeni Ministren e Financave Denaj dhe përfaqësitë e huaja në vend.