Meta uron 108 vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura

exit.al 4 Dhjetor 2020, 10:00

Presidenti Ilir Meta ka uruar 108 vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Në një postim në Facebook, të premten Meta uroi në mënyrë të veçantë Njësinë Mjekësore Ushtarake, “për vigjilencën, gatishmërinë e përkushtimin në krye të detyrës, në Spitalin e Traumës dhe në çdo repart e strukturë të FA”.

Ai i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bashkëpunojnë për të mposhtuar koronavirusin:

“Koha shtron si domosdoshmëri një solidaritet mbarëkombëtar, bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje, për të mposhtur këtë armik të përbashkët, që kërcënon çdo ditë shëndetin dhe jetën e qytetarëve”.

Presidenti i shprehu ngushëllimet e tij të gjithë “familjarëve të ushtarakëve, të cilët kanë humbur të dashurit e tyre nga COVID-19, si dhe ju uroj shërim të shpejtë të prekurve nga ky virus”.