- bie në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës
- bie në kundërshtim me interesin publik
- shkel parimet e konkurencës së lirë dhe barazisë përpara ligjit
- procesi ka qenë pa transparencë
- nuk ka studim fizibiliteti të plotë
- gjurma e rrugës Adriatiko-Joniane u zbardh 1 vit pas hapjes së tenderit
- nuk janë respektuar procedurat
- nuk është miratuar nga Ministria e Financave
- nuk është bërë objektivisht shqyrtimi në Komisionin e Ekonomisë
- projektligji për kontratën nuk është shqyrtuar nga Komisioni i Ligjeve dhe as nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese
- çmimi është negociuar pa bazë ligjore
- nuk ka vlerësim të qartë ekonomik
- rrezikon financat e shtetit
- shkel parimet e efiçencës financiare dhe buxhetore për investimet publike
Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga qeveria, me qëllim mos evidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit.
Synimi ka qenë që çdo paligjshmëri të amnistohet nga Kuvendi, me miratimin e kësaj kontrate me një akt ligjor, në mënyrë që ajo, në çdo kohë të quhet e ligjshme dhe të jetë e pakontrollueshme dhe askush të mos përgjigjet për shkeljet e kryera në këtë proces.
Institucionet financiare ndërkombëtare, kanë kërkuar nga qeveria shqiptare eliminimin e koncesioneve me oferta të pakërkuara, si procedura me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit. Meta përmendi raportin e janarit të bërë nga FMN-ja, që “ka theksuar se Shqipëria në kushtet e rritjes së shpejtë të projekteve me PPP ka rritur për rrjedhojë dhe rreziqet fiskale”. Presidenti tregoi se në bazë të dokumentave që i kanë paraqitur institucionet, kostoja e projektit të rrugës Milot-Balldren ishte 161,5 milionë euro, vlera e propozuar nga privatët ishte rreth 217 milionë euro, por që ata merrnin përsipër vetëm 213,6 milionë. Pra megjithëse investimi garantohej 3,6 milionë euro më pak se oferta, në vend që të anulohej si procedurë, qeveria negocioi me të, gjë që sipas Metës është në shkelje pasi “nuk ka asnjë parashikim ligjor, ku të citohet rregulli se lejohet negocimi i ofertës së paraqitur nga ana e operatorëve ekonomikë konkurrues”. Meta thekson se përmes kësaj kontrate, në fund, shteti duhet të paguajë 213,665,040 euro (duke lënë mënjanë TVSH-në). Keqpërdorimi i fondeve sipas Metës vërehet edhe te norma e interesit të caktuara për kreditë që privati do të merrte për ndërtimin e rrugës. Sipas kontratës kjo normë ishte 5 për qind, ndërkohë që qeveria ka kapacitete kredituese, të tipit bono thesari, me më pak se 2 për qind. Presidenti i sugjeron Kuvendit rishqyrtimin e ligjit të kontratës së rrugës Milot-Balldren dhe që rishqyrtimi të bëhet pasi të hyjë në fuqi ligji i kufizimit të koncesioneve të pakërkuara, pra pas datës 1 tetor duke nënkuptuar këtu që të shmanget një tjetër rast i një "propozimi të pakërkuar" për këtë aks rrugor.
