Meta kërkon verifikimin e rasteve të vjedhjes së identitetit në Korcë

exit.al 15 Prill 2021, 14:54

Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për shtyp të enjten, njoftoi se iu është drejtuar autoriteteve për verifikimin e një grup trafikantësh, të cilët kanë vjedhur identitetin e shtetasve shqiptar të minoritetit maqedonas në Korçë.

"Persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë pajisur me pasaporta dhe dokumente identifikimi, duke përdorur të dhënat e personave që nuk kanë probleme me ligjin," u shpreh Meta.

Ai tha se është informuar ngase rasti është bërë publik në shtetin fqinj, ku edhe janë arrestuar disa persona, por theksoi se një pjesë e përgjegjësisë bie mbi autoritetet shqiptare.

Mëta bëri me dije se disa prej personave të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti janë pajisur me dokumente identifikimi në bashkitë e Korcës, Pustecit dhe zyrave përkatëse të gjendjes civile.

Sipas tij, rrjeti shkon edhe në nivele qëndrore, në institucione si Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Zyra e Legalizimeve në Ministrinë e Jashtme dhe organizata joqeveritare minoritare.

Meta shtoi se vjedhja e identitetit të shtetasve shqiptar, mund të jetë shndërruar në mekanizëm që mund të shfrytëzohet nga elemente kriminal për të ndërhyrë në zgjedhjet e 25 prillit.

Ai tha se i ka kërkuar Prokurorisë, KQZ dhe Minsitrisë së Punëve të Jashtme të nisë hetimet dhe verifikimet për rastin, për të ruajtur integritetin e zgjedhjeve.