Meta i kërkon ambasadorëve vëzhgues ndërkombëtarë zgjedhjesh në Durrës, Elbasan dhe Vlorë

exit.al 23 Prill 2021, 16:42

Presidenti Ilir Meta u ka kërkuar ambasadorëve të vendeve të BE në Tiranë, ambasadorit Soreca dhe ambasadores së SHBA, Yuri Kim të vendosin vëzhgues ndërkombëtarë për procesin e votimit në Durrës, Elbasan dhe Vlorë.

Këtë kërkesë, kreu i shtetit iu a ka bërë ambasadorëve gjatë një takimi ku ai i ka falenderuar ata për angazhimin dhe interesin e tyre që zgjedhjet e 25 prillit të jenë sa më të ndershme.

Meta i ka vënë gjithashtu në duke ambasadorëve se ka një rritje të numrit të rasteve të denoncuara nga qytetarët dhe partitë politike për parregullsitë e konstatuara gjatë kësaj fushate, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Presidenti ka kërkuar vëzhgues ndërkombëtarë në Durrës, Elbasan dhe Vlorë pasi sipas tij në këto qarqe ka një situatë të trysnuar nga krimi i organizuar.

Meta kërkoi gjithashtu sjellje profesionale nga ana e Policisë së Shtetit dhe institucioneve gjyqësore në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë sa më i pacënuar.

Kreu i Shtetit është shprehur se ka besim se e diela do të jetë një ditë feste për të gjithë shqiptarët.