Mblidhet sot Samiti BE-Ballkan Perëndimor

exit.al 6 Tetor 2021, 09:20

Të mërkurën do të mblidhet, në Brdo të Sllovenisë, samiti mes krerëve të BE-së si dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Dy javë më parë Reuters raportoi se kishte ndarje sa i përket formulimit të deklaratës së përbashkët të vendeve anëtare duke treguar mungesë dëshire për afrimin e Serbisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut me unionin.

Pas debatesh mes vendeve anëtare, BE-ja pritet të rikonfirmojë angazhimin mbi zgjerimin e Bllokut me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ofruar një bashkëpunim për rajonin, por pa afate kohor, sipas një projekt -dokumenti të parë nga EURACTIV.

Po ashtu një nga momentet më të rëndësishme lidhet më nënshkrimin e marrëveshjes për Tregun e Përbashkët Evropian, në kuadër të Procesit të Berlinit, për implementimin e 4 lirive kryesore të BE-së.

Gjermania dhe vetë kancelarja në ikjë, Angela Mekel kanë lobuar muajt e shkuar për nënshkrimin e saj, duke e diferencuar me projektin e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut "Open Balkans". Gjatë vizitës së saj në Tiranë, Merkel e bëri të qartë se Tregu i Përbashkët nuk mund të zëvendësohej nga projekte të tjera.

Në samit po diskutohen edhe çështje jetike për BE-në si projekti i mbrojtjes së përbashkët apo reagimi ndaj paktit tripalësh AUKUS mes SHBA-ve, Britanisë dhe Australisë.