Mbi 100 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve, pa asnjë rezultat

exit.al 15 Shkurt 2021, 20:10

Qeveria ka shpenzuar mbi €66 milionë për mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare gjatë pesë viteve të fundit dhe ka kontraktuar mbi €36 milionë të tjera për katër vitet e ardhshme.

Drejtuesit e lartë të sektorit të transportit kanë pohuar vazhdimisht se, në sajë të këtij sistemi janë të gjitha mjetet për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e rrugëve në çdo lloj moti dhe kushtesh.

Në dhjetor 2020, Autoritetit Rrugor Shqiptar njoftoi se masat e marra nga qeveria për dimrin përfshinin “angazhimin e 500 mjeteve, borëpastruese dhe mjetet të tjera të rënda, 5 mijë tonë kripë .. 1200 punonjës, të cilët janë në gatishmëri në të gjithë vendin.

Por dy ditët e fundit vendi u mbulua nga bora dhe borëpastruesit u numëruan me gishtat e dorës, ndërkohë që në disa raste kripa në rrugë hidhje me dorë nga kamionë të vjetër transporti pa asnjë lloj mekanizmi për këtë punë.

Si realizohet mirëmbajtja e rrugëve

Në Gusht 2020, ARRSH vendosi të menaxhojë mirëmbajtjen e rrugëve duke e kontraktuar tek kompanitë private.

Territori i vendit u nda në dy rajone të mëdha, veri dhe jug, dhe secili prej tyre u nda respektivisht në 14 dhe 13 kontrata shërbimi, një për çdo segmenet kombëtar rruge. Vlera totale e të gjitha kontratave ishte €36 milionë me kohëzgjatje katër vjeçare.

Këto kontrata mirëmbajtjeje fillimisht u zbatuan në vitin 2015, për një periudhë 5-vjeçare, në kuadër të një projekti të Bankës Botërore, me vlerë totale €66 milionë.

Pas përfundimit të këtij projekti, modeli i këtyre kontratave filloi të zbatohej nga ARRSH-ja me financim buxhetor.

Sipas modelit të Bankës Botëore, kontratat bazohen “në performancë” dhe pagesat ndaj kompanive kryhen çdo muaj, në bazë të plotësimit të objetivave dhe standardeve.

Kushtet e kontratës janë të qarta. “Për akset rrugore që kanë nevojë për mirëmbajtje dimërore nga sipërmarresi kërkohet të mos bllokohet aksi rrugor nga dëbora e ngricat, të sigurohet një qarkullim sa më normal dhe pa rreziqe të automjeteve, të kryhen punime për pastrimin e dëborës, të mos lejohet formimi i akullit dhe ngricave (sa të jetë e mundur)”, shkruhet në kontratën e lidhur mes ARRSH-së dhe kompanive fituese të tenderave.

Në bazë të kontratës, firma kontraktore duhet të paraqes çdo muaj pranë ARRSH një raport për plotësimin e standardeve. ARRSH duhet të verifikojë raportin përmes inspektimve në terren dhe matjeve të thjeshta. Pas inspektimit ARRSH duhet të autorizojë pagesën.

Për të mbikqyrur realizimin e kontratave të mirëmbajtjes, qeveria ka kontraktuar 3 kompani supervizore më 5 janar 2021, duke ju paguar atyre një vlerë totale reth 1,6 milionë euro.

Por, pavarësisht milionave të paguara, pavarëasisht sueprivizonit, të gjitha rrugët e vendit u bllokuan për orë të tëra nga rreshje të vogla dëborë.

Shpërndaje te miqtë